Lidhje

Përse Rusia i trembet zgjerimit të radhëve te NATO-s - 2002-11-21


Përpara raundit të parë të zgjerimit të Natos, presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë i cilësonin pranimet e reja si një kërcënim të drejtëpërdrejtë ndaj kufijve dhe sigurimit të Rusisë. Në atë kohë, Moska kërcënoi se do të kundërpërgjigjej. Tani pas tre vjetësh, kur Natoja po pranon shtatë anëtarë të rinj në aleancë, Rusia përsëri po shpreh kundërshtimin e saj, por kësaj here, shumë më heshtur.

Në fillim të këtij muaji, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Ivanov, tha se për Rusinë zgjerimi i Natos nuk ka shumë kuptim, por ai shtoi se është e drejta e çdo vendi të zgjedhë bllokun e tij.

Masha Lipman, analiste e pavarur në Moskë dhe zëvendësredaktore e një gazete politike ruse, e shikon këtë qendrim të Moskës si një besim në rritje se Natoja po bëhet më shumë një aleancë diplomatike ose politike, sesa një organizatë ushtarake që do të përbënte një kërcënim real. Zonja Lipman thotë gjithashtu se habitet nga niveli i kritikave zyrtare në prag të zgjerimit të ri të Natos. "Nuk ka patur kritika dhe sigurisht as përgëzime,- thotë analistja. Reagimi i përgjithshëm nga elita politike ruse është i heshtur, ose pa deklarata emocionale." Zonja Lipman thotë se në se krahasohet reagimi i ashpër i Rusisë ndaj mbajtjes së një kongresi çeçen në Danimarkë me reagimin ndaj zgjerimit të Natos atëherë mund të nxjerrësh përfundimin se aktualisht Natoja nuk përbën ndonjë problem me rëndësi për Rusinë.

Vyasheslav Nikonov, president i institutit ”Politika” me qendër në Moskë e shikon çështjen me një sy tjetër. Ai thotë se ka njerez në Rusi që besojnë se sa më shumë të zgjerohet Natoja, aq më pa vlerë bëhet ajo. Zoti Nikonov është i të njëjtit mendim me pikëpamjet e zyrtarëve rusë se zgjerimi i Natos është një koncept i gabuar që nuk do të çojë në një Evropë të sigurt e të bashkuar, përsa kohë që lë jashtë vende të tilla, si Rusinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë. "Ky koncept, - thote zoti Nikonov,- do të sjellë vija të reja ndarëse në Evropë mes anëtarëve të rinj, atyre që do të bëhen anëtarë së shpejti dhe atyre që nuk do të bëhen asnjëherë. Kjo sjell një Evropë të ndarë dhe është në kundërshtim me idenë e një Evrope të bashkuar që kishim të gjithë kur përfundoi Lufta e Ftohtë." Pas nënshkrimit në muajin maj të marrëveshjes së partneritetit Nato-Rusi për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera, presidenti Putin i ka ulur kritikat e tij ndaj zgjerimit të aleancës. Në të njëjtën kohë, ai nuk po merr pjesë në takimin e Pragës, që prania e tij të mos shihet si mbështetje.

Por pas takimit të Natos, presidenti Bush do të takohet të premten me presidentin Putin në Shën Peterburg. Ata pritet të diskutojnë një numër të gjerë çështjesh, përfshi Irakun, Iranin, Korenë e Veriut, si dhe luftën kundër terrorizmit.

Para se të nisej për në Pragë, presidenti Bush tha se do të shkonte në Rusi për t’ua u bërë të qartë rusëve dhe presidentit Putin se nuk ekziston asnjë arësye për të patur frikë nga zgjerimi i Natos.// lk //

XS
SM
MD
LG