Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Bahrein - 2002-11-22


Kohët e fundit, në Bahrein u zhvilluan zgjedhje parlamentare shumë të rëndësishme. Dyzet ligjvënës u zgjodhën nga votuesit për të plotësuar vendet në Dhomën e Deputetëve. Anëtarët e dhomës tjetër të parlamentit, me kompetenca legjislative të barabarta me Dhomën e Deputetëve, emrohen nga mbreti. Pas votimit, presidenti George W. Bush tha se Bahreini ishte një shembull i rëndësishëm i një vendi që po bën hapa drejt kalimit në sistemin demokratik.

Ishte hera e parë pas thuajse 30 vjetësh që qytetarët e Bahreinit shkuan në qendrat e votimit për të zgjedhur anëtarë të parlamentit. Në votim mori pjesë shumica e zgjedhësve, megjithë thirrjet e disa grupeve të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet për shkak të shqetësimeve të tyre se kompetencat e ligjvënësve do të ndahen në mënyrë të barabartë me një këshill të emruar nga mbreti.

Sipas qeverisë së Bahrejnit, më shumë se 50 përqind e qyetarëve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje. Gratë e këtij vendi morën pjesë në procesin elektoral si kandidate dhe si votuese. Megjithëse asnjë nga gratë kandidate nuk fitoi në zgjedhje, ishte hera e parë që ato paraqiteshin në fletvotimet kombëtare të Bahrejnit.

Zgjedhjet parlamentare janë të fundit në një sërë hapash politike të ndërmarrë nga mbreti Hamad. Ai erdhi në pushtet pas vdekjes së babait të tij në vitin 1999. Menjëherë pas kurorëzimit të tij, në Bahrein u mbajt një referendum mbi të ashtruquajturën Kartë Kombëtare Veprimi, e cila përmbante planet për reforma kushtetuese. Referendumi u miratua me shumicë dërrmuese votash.

Mbreti Hamad deklaroi se Bahreini do të shndërrohej në një monarki kushtetuese. Ligjet e sigurimit që lejonin arrestimet arbitrare, u shfuqizuan; të burgosurit politikë u liruan dhe udhëheqësit e opozitës që jetonin jashtë vendit, u ftuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Bahrejni miratoi një ligj të ri pune që u siguron punëtorëve për herë të parë të drejtën e anëtarësimit në shoqata dhe të organizimit të sindikatave të punëtorëve. Megjithëse liria e shtypit dhe ajo e fjalës janë ende të kufizuara nga qeveria, këto kufizime janë lehtësuar gjatë 12 muajve të fundit.

Mbetet për t’u parë sesi do të funksionojë parlamenti i ri i Bahrejnit dhe nëse do të punojë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të vendit. Megjithatë, Bahreini ka hyrë në një rrugë që mund ta çojë drejt lirisë më të madhe, përgjegjshmërisë më të madhe qeveritare dhe respektit më të madh për të drejtat e njeriut. Siç është shprehur presidenti Bush, “Bahreini është një mik i ngushtë dhe unë, theksoi ai, mbështes fuqishëm përpjekjet që mbreti Hamad dhe populli i Bahrejnit kanë bërë për të përqafuar parimet demokratike dhe për të respektuar shtetin ligjor.” //xh//

XS
SM
MD
LG