Lidhje

Kalendari Historik 21 nëntor - 2002-11-22


Më 21 nëntor të vitit 1963, presidenti John Kennedy dhe gruaja e tij, Jacqueline, shkuan në Teksas për një vizitë që do të kishte pasoja tragjike. Si udhëheqës i Partisë Demokrate, presidentit i ishte kërkuar të shkonte në Teksas, për të ndihmuar në mbylljen e një të çare ideologjike në radhët e Partisë Demokrate të Teksasit. Kjo ishte dalja e parë në publik e zonjës Kennedy pas vdekjes së djalit të tyre, disa muaj më parë. E megjithatë, ajo pati shumë sukses. Edhe ata banorë të Teksasit që kundërshtonin bashkëshortin e saj, brohoritnin të gëzuar duke shqiptuar emrin e saj ngado që ajo shkonte. Por të nesërmen më 22 nëntor, kur presidenti dhe zonja Kennedy, po vizitonin Dallasin, presidenti u qëllua me armë dhe u vra.

Më 21 nëntor të vitit 1974, senati amerikan hodhi poshtë me 65 vota pro dhe 27 kundër veton e presidentit Gerald Ford për aktin e lirisë së informimit. Synimi i këtij akti ishte t’u jepej qytetarëve mudësi të merrnin informacion rreth veprimtarive të qeverisë. Një ditë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve e kishte hedhur poshtë veton e presidentit me 371 vota pro dhe 31 kundër. Presidenti Ford kishte thënë që akti për lirinë e informimit ishte ”jokushtetues dhe i pazbatueshëm”. Ai kundërshtoi gjithashtu dispozitat e projekt-ligjit që u jepnin gjykatave autoritet për të përcaktuar ”dokumente sekrete dhe delikate”, që mbulonin fusha të ndërlikuara, në të cilat gjykatat nuk kanë ekspertizë. Megjithatë, presidenti Ford lavdëroi synimet e aktit të lirisë së informimit sapo vetoja e tij u hodh poshtë dhe projekt-ligji u bë ligj. //az//

XS
SM
MD
LG