Lidhje

Presidenti Bush në takimin e nivelit të lartë të Natos - 2002-11-25


Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një partneritet të përhershëm me vendet e Evropës. Siç ka thënë presidenti George W. Bush, "kontinenti evropian, i plagosur nga nazizmi dhe komunizmi, po bëhet paqësor, i sigurt dhe demokratik për herë të parë."

Shtetet e Bashkuara i lidhin me Evropën historia, marrëdhëniet tregtare dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, Natoja. Dhe, siç ka thënë presidenti Bush, |Amerika është e lidhur me Evropën nga besimi ynë i përbashkët në dinjitetin e çdo jete, si edhe besimi se historinë e lëviz forca e ndërgjegjës."

Takimi i nivelit të lartë i Natos në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, ishte takimi i parë që mbahej në një vend ish anëtar i Traktatit të Varshavës. Fundi i Bashkimit Sovjetik dhe i Traktatit të Varshavës, siç ka thënë presidenti Bush, shënuan në të njëjtën kohë edhe fundin e një periudhe të errët e të largët. Vitet që pasuan kanë sjellë sfida dhe shpresa të mëdha për të gjitha vendet e këtij kontinenti.

Meqë Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e një Evrope më të bashkuar, ka thënë presidenti Bush, ne mbështesim fuqimisht zgjerimin e Natos tani dhe në të ardhmen. Çdo demokraci evropiane që kërkon të anëtarësohet në Nato dhe është e gatshme të përballojë përgjegjësitë që rrjedhin nga anëtarësimi në Nato, duhet të mirëpritet në Aleancën tonë. Zgjerimi i Natos është gjë e mirë për të gjithë ata që hyjnë në Aleancë, thotë zoti Bush. Standardet e anëtarësisë janë të larta dhe ato inkurajojnë vendet kandidate që të punojnë shumë në fushën e reformave ekonomike, politike dhe ushtarake.

Zgjerimi i Natos është edhe në të mirë të Rusisë. Rusia do të fitojë nga siguria dhe stabiliteti i vendeve në Perëndim të saj. Rusisë, ka thënë presidenti Bush, nuk i duhet një zonë sigurie për t’u mbrojtur. Rusisë i duhen fqinjë paqësorë e të begatë, që janë njëkohësisht edhe miq të mirë.

Zgjerimi i Natos është i dobishëm edhe për Aleancën. Anëtarët e rinj do të japin ndihmesën e tyre në fushën ushtarake, gjë që shton sigurimin e përbashkët. Kjo bie në sy në Afganistan, ku forca nga Rumania, Bullgaria, Estonia, Lituania dhe Sllovakia, u bashkuan me aleatët e Natos, për të shpartalluar Talebanët dhe al-Qaidën.

Bashkimi Sovjetik mund të ketë marrë fund prej kohësh, por liria ka ende armiq. Lirisë i kërcënohen grupe të tilla terroriste si al-Qaida dhe shtete të papërgjegjshme si Iraku. Por siç ka thënë presidenti Bush, “Shpresat e njerëzimit varen nga guximi dhe uniteti i demokracive të mëdha. Përballë këtyre sfidave Natoja do të bëjë atë që ka bërë edhe më parë: ne do të qendrojmë të palëkundur kundër armiqve të lirisë dhe do të fitojmë.”//xh//

XS
SM
MD
LG