Lidhje

Meta: Bashkëpunimi rajonal sjell integrim evropian - 2002-11-26


Shqipëria thotë se pa bashkëpunim dhe integrim rajonal nuk ka integrim evropian dhe në NATO. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta e bëri këtë koment të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Beogradi, ku ndodhet për vizitë.

Gjatë kësaj vizite u nënshkruan tre marrëveshje dhe në të ardhmen zoti Meta tha se do të nënshkruhen edhe 14 të tjera, që do të nxisin marrëdhëniet në fushën e ekonomisë, tregëtisë, transportit, infrastrukturës, rrjetit energjitik, qarkullimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve etj.

Numri dy i qeverisë shqiptare tha se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë rëndësi edhe për të forcuar më tej klimën e re në rajon, në dobi të forcimit të paqes, të sigurisë, të integrimit rajonal dhe në veçanti të integrimit evropian, në rajonin e Ballkanit.

Zoti Meta tha se këto marrëdhënie mund të ndikojnë edhe në respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për integrimin e tyre dinjitoz në proceset demokratizuese në Serbi dhe në rajon.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë tha se marrëdhëniet mes dy vendeve synojnë të kontribuojnë pozitivisht edhe për situatën në Kosovë.

Ai shtoi se Tirana dhe Beogradi kanë për detyrim që të nxisin shqiptarët dhe serbët në Kosovë që të forcojnë paqen, demokracinë, institucionet e reja për të krijuar një frymë mirëkuptimi dhe bashkëjetese në mënyrë që Kosova të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore.

Megjithatë zoti Meta theksoi se çështja e Kosovës dhe statusit të saj nuk është një çështje mes Tiranës dhe Beogradit.

Ai përsëriti qëndimin e Shqipërisë, sipas të cilit zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të ketë impenjimin maksimal të faktorit ndërkombëtar.

Zoti Meta tha se duhet të merret parasysh e drejta e popullit të Kosovës për të vendosur për të ardhmen e tij.//kk//

XS
SM
MD
LG