Lidhje

Henry Kissinger në krye të komisionit për hetimin e 11 shtatorit - 2002-11-27


Presidenti Bush ka emëruar ish sekretarin amerikan të shtetit, Henry Kissinger, të drejtojë një komision të ri të pavarur për të hetuar sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit të kaluar. Të mërkurën presidenti nënshkroi ligjin që autorizon krijimin e këtij komisioni, duke thënë se kjo do ti ndihmojë amerikanët të fitojnë përparësi ndaj terroristëve.

Komisioni ndërpartiak do të ketë 18 muaj kohë që të shqyrtojë çështje të tilla si aviacioni dhe sigurimi kufitar. Veprimtaria e këtij komisioni do ti shtohet hetimit të kufizuar të kryer nga komisionet e zbulimit të kongresit.

Ndërkohë ambasadori i Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara tha se vendi i tij është partner në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër terrorit. Ai i bëri këto komente në përgjigje të deklaratave se dhurimet e bamirësisë të bashkëshortes së tij përfunduan në duart e personave që kishin lidhje me rrëmbyesit e avionëve të 11 shtatorit. Në një intervistë dhënë për gazetën The New York Times, ambasadori saudit, Prince Bandar Bin Sultan, tha se vendi i tij ka ndihmuar në mënyrë të fshehtë në arrestimin e të paktën 3 udhëheqësve të al-Qaidës.

Bashkëshortja e tij, princesha Haifa al-Faisal, tha se ajo thjesht i dha para një gruaje që kishte kërkuar ndihmë për të mbuluar shpenzimet mjekësore. Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se njerëzit nuk duhet të nxjerrin konkluzione të nxituara rreth çiftit diplomatik saudit pa patur prova rreth këtyre deklaratave.//ic//

XS
SM
MD
LG