Lidhje

Mesazh i Presidentit Bush me rastin e Bajramit - 2002-12-04


Me kënaqësi të madhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë atyre që festojnë Bajramin e Madh, e kremtja që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ramazani përkujton zbulimin e fjalës së Zotit profetit Muhamet në Kuranin e Shenjtë, fjala që lexohet dhe recitohet me adhurim të veçantë gjatë kësaj periudhe. Gjatë muajit të fundit, myslimanët agjëruan për të ripërqendruar mendjen e tyre tek besimi dhe për t’i ridrejtuar zemrat te bamirësia.

Myslimanët në të gjithë botën kanë zgjatur dorën e mëshirës dhe kanë ndihmuar nevojtarët. Tavolinat e bamirësisë, ku të varfërit mund të çelnin iftar, shtroheshin nëpër rrugët e qyteteve dhe të fshatrave. Shpërndahen gjithashtu dhurata me ushqime, veshmbathje e para në mënyrë që të gjithë të gëzojnë begatinë e dhuruar nga Zoti. Myslimanët ftojnë shpesh herë pjesëtarë të besimeve të tjera për darka festive, ose iftar, duke demonstruar shpirtin e tolerancës.

Gjatë Bajramit të Madh, myslimanët shënojnë plotësimin e detyrës së agjërimit dhe bekimet e përtëritjes së besimit që vinë me të. Zakonet festive ndryshojnë nga vendi në vend, nga fenerët ndiçues në Egjipt, fishekzjarrët në Pakistan e deri te ftesa që u bëhet të moshuarve në festimet tradicionale në Nigeri. Në gjithë botën, familje, fqinj dhe miq mblidhen për të ndarë ushqime dhe për të uruar njëri-tjetrin që kaluan me sukses provën e Ramazanit.

Fryma pas kësaj të kremteje na kujton se Islami u sjell shpresë e qetësi shpirtërore miliona njerëzve në vendin tim dhe më shumë se një miliard të tjerëve në gjithë botën. Ramazani është gjithashtu një rast për të kujtuar se Islami çoi në lindjen e një qytetërimi të pasur, nga i cili ka përfituar i gjithë njerëzimi.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, myslimanët kanë dhënë kontribut në tregti, shkencë, mjekësi, arsim dhe fusha të tjera. Anëtarët myslimanë të forcave të armatosura dhe të administratës sime u shërbejnë bashkëatdhetarëve të tyre amerikanë me nder, duke ruajtur idealet tona të lirisë dhe drejtësisë në një botë në paqe.

Laura bashkohet me mua për t’u dërguar urimet më të përzemërta myslimanëve në të gjithë Amerikën dhe në mbarë botën me rastin e kësaj të kremteje. Uroj që bekimet e muajit të Ramazanit të mbeten me ju gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG