Lidhje

Steiner: Krijimi i shoqërisë shumëetnike, sfida kryesore në Kosovë - 2002-12-09


Administratori i Kosovës, Michael Steiner tha se nën administratën e tij, Mitrovica do të ketë vetëm struktura legjitime. Në një intervistë që i dha të hënën, Zërit të Amerikës para një takimi me sekretarin e shtetit Colin Powell në Uashington, zoti Steiner u përpoq të zbutë shqetësimet e shqiptarëve se Mitrovica mund të mbetet e ndarë dhe tha se deri tani në këtë drejtim është bërë përparim i dukshëm. Ai tha gjithashtu se pala shqiptare duhet të bëjë më shumë për të krijuar kushtet për kthimin e të shpërngulurve serbë dhe për krijimin e një shoqërie vërtet shumë-etnike.

VOA Zoti Steiner, cilat janë disa nga qëllimet e vizitës suaj në Washington? A pritet ndonjë nismë e re, apo kjo vizitë është pjesë e këshillimeve të regullta që ju keni me administratën e Presidentit Bush?

MS E dyta është e vërtetë. Marrëdhëniet dhe kontaktet e ngushta me Departamentin e Shtetit janë të nevojshme për të patur përparim në Kosovë. Në kryerjen e detyrave tona ne kemi nevojë për mbështetjen e Sekretarit të Shtetit dhe shpresoj se do ta marr një mbështetje të tillë.

VOA Zoti Steiner, sa përparim është bërë në plotësimin e standardeve që ju keni përcaktuar për Kosovën dhe si do t’i cilësonit marrëdhëniet e UNMIK-ut me institucionet vendore në Kosovë?

MS Mendoj se në Kosovë kemi patur suksese të mëdha. Gjatë këtij viti, në se i hedhim sytë pas, kemi një qeveri që funksionon, lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi po bëhet gjithnjë e më e efektshme, kemi krijuar kornizën e zhvillimit ekonomik, po ashtu njerëzit e kanë më të qartë të ardhmen. Por nga ana tjetër përpara kemi edhe sfida të vështira, premtimet që kemi arritur me fjalë tani duhet t’i kthejmë në realitet dhe për këtë kemi nevojë pë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Publiku në Kosovë e ka të qartë se kemi arritur përparim të madh, por kjo duhet shoqëruar me masa të tjera më konkrete, konkretisht e kam fjalen që vitin e ardhshëm, sfida kryesore që kemi përpara është krijimi i një shoqërie të vërtetë shumëetnike, gjë që do të mirëpritej nga Evropa.

Me institucionet në Kosovë, UNMIK-u ka marrëdhënie të mira. Është normale që këto institucione kërkojnë më shumë. Unë do të isha i kënaqur t’u kaloja sa më shumë kompetenca që të mundemi këtyre institucioneve, me përjashtim të atyre që i takojnë komunitetit ndërkombëtar, por kjo varet nga aftësia e këtyre institucioneve për të përballuar përgjegjësitë. Pra nuk mjafton vetëm të kërkosh më shumë autoritet, por edhe të mbash përgjegjësi për të përballuar detyrat. Autoriteti më i madh shoqërohet me më shumë punë, dhe këtu kemi ende për të bërë.

VOA Kohët e fundit Presidenti Rugova ka emëruar Senatorin Robert Dole, si përfaqësuesin e tij në Washington. Ju e keni kundërshtuar këtë vendim. Pse?

MS Është e qartë se politika e jashtme, caktimi i ambasadorëve të kesaj natyre, nuk u takon institucioneve lokale, por është pjesë e kompetencave të UNMIK-ut. Kjo është një gjë që mund të zgjidhet në se bëhet në një formë më simbolike, por në rrugë zyrtare më duket e pamundur që të emërohet ndonjë person si ambasador për Kosovën.

VOA Zoti Steiner, kohët e fundit, ju keni ndërmarrë disa masa për shtrirjen e autoritetit të UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore. Cili ka qenë ndikimi praktik i këtyre masave që ju keni marrë?

MS Që në fillim e bëmë të qartë se në rastin e Mitrovicës kemi të bëjmë me një marrje jo me forcë por paqësore të kompetencave. Kjo do të thotë që gjerat të bëhen hap pas hapi. Serbët në Mitrovicë janë banorë të Kosovës dhe kanë të drejtat e tyre legjitime. Administrata jonë punon edhe në interes të tyre. Sapo kemi filluar, hapëm zyrat dhe tani jemi në procesin e zgjedhjes së personelit për to. Unë jam i kënaqur, që deri tani transferimi i kompetencave ka ecur normalisht. Çdo njeri i arsyeshëm e kupton se procesi është i ngadalshëm. Dikush mund të dëshironte që të ndodhte më shpejt, por ndryshimet po ndodhin në Mitrovicë. Ne duam që në qytet të ketë liri lëvizjeje. Kjo nuk mund të ndodhë brenda 24 orësh. Po ashtu kthimi i të zhvendosurve nuk mund të arrihet brenda një dite. Në se e krahasojmë gjendjen e tanishme ne Mitrovice me atë që ishte në qytet për 3 vjet e gjysmë, përparimi është i dukshëm. Në veri të qytetit tani kemi struktura që burojnë nga (rezoluta) 1244, burimi i vetëm legjitim për Kosovën.

VOA Shumica e forcave kryesore politike shqiptare i kanë mbështetur nismat që ju keni ndërmarrë në Mitrovicë. Megjithatë ekziston një shqetësim tek disa shqiptarë se këto masa do të çojnë në krijimin e një komune të re në Mitrovicë dhe në ndarjen e Mitrovicës. Si iu përgjigjeni këtyre kritikave, ose dyshimeve që kanë disa shqiptarë?

MS Nën administrimin tim Mitrovica nuk do të ndahet kurrë në dy komuna. Nuk është ky synimi ynë. Mitrovica ka një administrator komune. Ajo bazohet në burimin e vetëm të legjitimitetit. Jam i ndërgjegjshëm se zgjedhjet u bojkotuan në veri. Për mua ky ishte një gabim strategjik i radikalëve në veri. Po të kishin marrë pjesë në zgjedhje ata mund të kishin zgjedhur zyrtarët që dëshironin, tani jemi ne që do të zgjedhim zyrtaret që dëshirojmë si drejtues të ligjshëm të qytetit. Një arritje e madhe është shtrirja e detyrave të Shërbimit Policor të Kosovës edhe në veri të qytetit. Pa dyshim që qyteti nuk mund të bashkohet menjëhere pas një ndarjeje 3 vjeçare dhe kjo nuk do të ishte as në interes të banorëve të të dy pjesëve, por procesi i bashkimit ka filluar. Ajo që kemi bërë ne është ndryshimi i prirjes. Mitrovica po shkonte drejt një ndarjeje të ngadaltë por të sigurtë, tani po ecën në drejtim të kundërt, në atë të bashkimit. Unë jam i bindur se do ta realizojmë.

VOA Zoti Steiner, lidhur me çështjen e kthimit të refugjatëve serbë, sipas mendimit tuaj, a ekziston vullneti politik tek pala shqiptare për krijimin e kushteve të domosdoshme për kthimin e tyre në Kosovë?

MS Kjo është çështja më kritike. Shqiptarët në Kosovë duhet të vendosin, ata duhet të shikojnë interesin e popullsisë së Kosovës. Çfarë kërkon shumica e popullsisë? Ajo kërkon një shoqëri të respektuar, funksionuese, që lufton krimin, që do të ketë si perspektivë në të ardhmen të bëhet si shoqëritë e tjera në Evropë, por që po ashtu ofron edhe mundësi ekonomike. Për të krijuar mundësi ekonomike, vendi ka nevojë për partnerë. Partnerët sigurohen vetëm në se atyre u tregon se je i gatshëm të mbrosh të njejtat parime, të njejtat rregulla si shoqëri si edhe në vendet e tjera të Evropës. Mënyra e vetme për Kosovën që të gjejë partnerë në Bashkimin Evropian është që t’u tregojë atyre se Kosova nuk është një shoqëri njëetnike por shumëetnike, ku çdo banor i Kosovës të ketë të drejtë të jetojë në të. Të ketë të drejtë të jetojë pa frikë, të ketë të drejtë të kthehet në shtëpinë e tij, pra të gëzojë gjithë të drejtat. Për shqiptarët në Kosovë komuniteti ndërkombëtar ndërhyri që ata të ktheheshin në shtepitë e tyre, pasi u dëbuan nga Millosheviçi. Atëhere si mund t’ua mohojmë të tjerëve këtë të drejtë? Nëse shoqëria në Kosovë nuk merr masa për këtë, zgjidhja e problemeve të tjera do të ishte shumë më e vështirë. Edhe nga ana ekonomike Kosova ka nevojë për partnerë. Kosova është një vend i vogël për të jetuar më vete e pavarur ekonomisht. Ajo ka nevojë për partnerë në rajon dhe në Evropë. Dhe partnerët sigurohen duke respektuar rregullat e lojës. Dhe rregulli i lojës është që të gjithë njerëzit janë të barabartë. Pa u krijuar ky kusht, Kosova nuk do të ishte e mirëpritur.

VOA Dhe në fund zoti Steiner, jemi në prag të vitit të ri. Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballohet Kosova vitin që vjen?

MS Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë më e efektshme se në të kaluarën. Problemet ekonomike po ashtu janë shumë të rëndësishme. Papunësia është 56 përqind dhe të rinjtë nuk shohin perspektivë ekonomike. Dhe ne duam që ata ta shohin të ardhmen të lidhur me Kosovën. Dhe sfida e tretë është se duam t’i tregojmë botës se është e mundur të krijojmë një shoqëri shumë etnike që mbron të njejtat vlera si edhe shoqëritë e tjera të Evropës. Këto janë tre sfidat që unë shoh për të ardhmen. Nuk janë të lehta por nuk ka rrugë tjetër veçse t’i zgjidhim ato.//kk//

XS
SM
MD
LG