Lidhje

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmat e tyre për Angolën - 2002-12-10


Marrëveshja e paqes e nënshkruar në Angolë shënon një pikë kthese për një vend të përfshirë nga lufta civile për dekada me radhë.

Bashkimi Kombëtar për Pavarësinë e Plotë të Angolës, i njohur me emrin UNITA dhe Lëvizja për Çlirimin Popullor të Angolës, e cila më vonë mori pushtetin, e filluan luftën ndërmjet tyre, pasi Angola fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitin 1975. Më 1994 qeveria dhe kryengritësit e lëvizjes Unita, nënshkruan Protokollin e Lusakës. Por Unita nuk i plotësoi detyrimet që rridhnin nga kjo marrëveshje. Më 1998 rifilluan luftimet, që shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve.

Në prill të këtij viti, pasi ushtria vrau Jonas Savimbi, që kishte qenë udhëheqës i Unitas për një kohë të gjatë, qeveria angoleze dhe lëvizja Unita arritën një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve. Unita shpërndau vullnetarisht organizatën e saj ushtarake. Në nëntor të dyja palët nënshkruan marrëveshje në të cilat merrnin përsipër të zbatonin plotësisht Protokollin e Lusakës dhe angazhoheshin të çonin deri në fund detyrën afatgjatë të pajtimit kombëtar. Siç është shprehur udhëheqësi i përkohshëm i Unitas, Paulo Lukamba Gato, “Tani kushtet themelore janë plotësuar që Angola të vendosë demokracinë dhe të arrijë pajtimin kombëtar në paqe.”

Përmbushja e këtyre qëllimeve ka për të qenë një detyrë e vështirë. Problemi më i vështirë për qeverinë angoleze është rindërtimi i vendit pas disa dekadash lufte. Trashëgimi e luftës janë 4 milionë angolezë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve jetojnë në varësi të ndihmave të huaja. Në vend mbizotëron varfëria, ekonomia është një gjendje të mjeruar dhe korrupsioni mjaft i përhapur.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë programet e tyre të zgjeruara të ndihmave humanitare për të lehtësuar vuajtjet e miliona angolezëve. Por me përfundimin e luftës civile, i takon qeverisë së vendit të luajë rol prijatar në plotësimin e nevojave humanitare të popullit. Në të njëjtën kohë qeveria duhet të punojë me vende të tjera për të zhvilluar programe për risistemimin e refugjatëve të shpërngulur brenda vendit dhe të ish-guerilasve.

Shtetet e Bashkuara e kuptojnë nevojën e ndihmave për zhvillimin dhe rindërtimin e Angolës, por që një ndihmë e tillë të jetë e efektshme, asaj duhet t’i paraprijnë reforma makroekonomike dhe nisma kundër korrupsionit dhe veç kësaj, qeveria angoleze duhet të angazhojë burime të rëndësishme financiare.

Suksesi i Angolës do të varet gjithashtu nga riintegrimi i ish-personelit të Unitas në shoqëri, në zgjedhjet shumëpartiake dhe në reformat e tregut të lirë. I takon Unitas të marrë përsipër rolin që i takon si një parti e rimëkëmbur politike dhe të punojë me qeverinë angoleze për pajtimin kombëtar.

//rd//

XS
SM
MD
LG