Lidhje

Steiner: është e rëndësishme që SHBA mbështesin plotësisht përpjekjet për zbatimin e rezolutës 12-44 - 2002-12-10


Administratori i Kosovës, Michael Steiner, tha se për administratën e tij është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet për zbatimin e rezolutës 12-44.

Pas takimit që zhvilloi dje mbasdite këtu në Washington me sekretarin amerikan të shtetit Colin Powell, administratori i Kosovës, Michael Steiner, e vlerësoi takimin e tij me zotin Powell si shumë të rëndësishëm.

“Mendoj se ishte një takim shumë i mirë gjatë të cilit sekretari Powell shprehu angazhimin e plotë e të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në procesin e zbatimit të rezolutës 12-44 në Kosovë. Unë vetë personalisht ndjehem se kam mbështetjen e sekretarit të jashtëm amerikan për përparimet që kemi bërë gjatë këtij viti dhe që do të përpiqemi të bëjnë gjatë vitit të ardhshëm. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të zbatuar rezolutën 12-44.”

Zoti Steiner tha se në kryerjen e detyra të saj administrata e tij ka nevojë për mbështetjen e sekretarit Powell dhe shprehu kënaqësi që e mori një mbështetje të tillë. Ai shtoi se sekretari Powell përshëndeti përpjekjet e UNMIK-ut për zgjerimin e autoritetit të tij në Kosovë. Çështja e Mitrovicës ishte një prej çështjeve që sekretari Powell theksoi në veçanti, duke e cilësuar atë si një prej sukseseve të arritura gjatë këtij viti. Administratori Steiner u shpreh gjithashtu se edhe pala shqiptare duhet të bëjë më shumë për të krijuar kushtet për kthimin e serbëve dhe për krijimin e një shoqërie me të vërtetë shumë-etnike.

I pyetur në se në takimin e djeshëm u prek apo jo çështja e pavarësisë së Kosovës, zoti Steiner tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur plotësisht dëshirën e tij që në Kosovë të përcaktohen së pari standartet e pastaj statusi përfundimtar i Kosovës. “Sekretari i shtetit Powell mbështet plotësisht teorinë tonë, në bazë të së cilës së pari ne duhet të përcaktojmë standartet, pastaj mund të fillojmë bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës.”

Zoti Steiner tha se mes çështjeve, që përbëjnë shqetësim imediat për UNMIK-un në Kosovë janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni. Gjithashtu shqetësim për të përbëjnë problemet ekonomike, përfshirë papunësia prej 56 përqind. //ze//

XS
SM
MD
LG