Lidhje

Dokument i ri për të frenuar përdorimin e armëve të shkatërrimit më masë - 2002-12-11


Administrata e Presidentit Bush po paralajmëron se do të përdorë ”forcën në përmasa të mëdha” kundër gjithkujt që përdor armë të shkatërrimit në masë ndaj trupave amerikane. Dokumenti i ri i Shtëpisë së Bardhë për strategjinë duket se ka në qendër Irakun, në një kohë që Presidenti Bush po studion mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake kundër Saddam Husseinit nëse ai nuk u bindet inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët.

Në dokumentin e ri strategjik mbi armët e shkatërrimit në masë thuhet se Presidenti Bush rezervon të drejtën të kundërpërgjigjet me ”forcë në përmasa të mëdha” nëse Shtetet e Bashkuara, trupat e saj jashtë vendit, apo miqtë dhe aleatët e saj sulmohen me armë kimike, biologjike apo bërthamore.

Përveç një kundërpërgjigjeje të mundëshme bërthamore, në strategjinë e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta frenojnë përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, përmes masave të efektëshme të zbulimit, mbikqyrjes, ndalimit dhe imponimit të ligjit në planin e brendshëm.

Aty thuhet se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa të mbrojtjes aktive për të asgjësuar dhe nxjerrë jashtë përdorimit armët e shkatërrimit në masë përpara se ato të godasin objektivat, dhe se rreziku i përdorimit të këtyre armëve nga terroristët është një nga sfidat më të mëdha të Amerikës në fushën e sigurisë.

Raporti, që do t’i paraqitet sot Kongresit zëvendëson një udhëzim të vitit 1993 mbi armët e shkatërrimit në masë, i cili iu duk shumë i ngushtë administratës së Presidentit Bush, pasi kishte të bënte vetëm me çështjet e mospërhapjes.

Në dokumentin strategjik thuhej se tani armë të tilla nuk janë më alternativa e fundit, por ”armë ushtarake të preferuara dhe të përdorshme” që synojnë të kapërcejnë epërsinë e Washingtonit në fushën e armëve konvencionale.

Duke trajtuar masat kundër përhapjes së armëve, dokumenti thotë se strategjia e re ”përbën një ndryshim thelbësor nga e kaluara”, sepse ajo shfrytëzon teknologjitë e reja, i ve një theks më të madh mbledhjes së informacioneve të zbulimit dhe krijimit të partneriteteve të reja me ish-kundërshtarët.

Një zyrtar i lartë i administratës thotë se synimi është ”të mos lejohet që teknologjitë më të rrezikshme të botës të bien në duart e njerëzve më të rrezikshëm të botës”.

Përsa u takon çështjeve të brendshme, në dokumentin strategjik prej gjashtë faqesh thuhet se Departamenti i ri i Sigurisë Kombëtare do të ndihmojë në përgatitjen e ekipeve të shpëtimit për të qenë në gjendje të përballojnë një sulm të mundshëm kimik ose biologjik.

Ndërsa duke folur për problemet e jashtëme, aty thuhet se administrata e Presidentit Bush do të vazhdojë përpjekjet për të bindur shtetet furnizuese të mos bashkëpunojnë me ata që kërkojnë armë të shkatërrimit në masë, duke i mbajtur furnizuezit përgjegjës për mënyrën sesi do të përdoren ato armë.

Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se raporti është ndërtuar mbi bazën e dokumentit të politikës kombëtare për sigurinë që u bë publik në shtator. Në dokument thuhet se Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën për sulme parandaluese kundër atyre që kërcënojnë vendin apo aleatët.//kk//

XS
SM
MD
LG