Lidhje

Senatori Dole: Jam i nderuar që përfaqësoj Kosovën në Uashington - 2002-12-13


Ish-senatori amerikan Bob Dole thotë se është i nderuar që i jepet rasti të përfaqësojë Kosovën në Uashington. Në intervistën që i dha Zërit të Amerikës të premten, zoti Dole tha midis të tjerash se, që Kosova të përparojë, atje duhet të njihen të drejtat e barabarta të të gjitha komuniteteve etnike.

Zëri i Amerikës Zoti Dole, presidenti Rugova ju ka emëruar si përfaqësues nderi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara. UNMIK-u ka reaguar duke theksuar se Presidenti Rugova nuk ka kompetenca për të marrë një vendim të tillë. A mund të na e sqaroni pozitën tuaj aktualisht?

Sen. Dole Titulli nuk ka rëndësi për mua. Dr. Rugovën e kam mik prej kohësh. Unë jam angazhuar në disa prej problemeve të Kosovës për afro 13 vjet. Kam qenë në një farë mënyre përfaqësuesi i tyre jozyrtar, që kur u largova nga Kongresi në vitin 1996. Prandaj nuk e kam problem se si e cilësojnë këtë detyrë. Jam mik i Kosovës dhe i popullit të saj. Jemi shumë të nderuar që na jepet mundësia të përfaqësojmë në Washington jo vetëm presidentin, por edhe popullin e Kosovës si dhe zyrtarët e tjerë të lartë, qoftë kryetarin e parlamentin apo kryeministrin e Kosovës.

Zëri i Amerikës Zoti Dole, si e shihni rolin tuaj si përfaqësues i Kosovës në Shtetet e Bashkuara? Ku do t’i përqendroni përpjekjet tuaja për të mbrojtur interesat e Kosovës?

Sen. Dole Kosova nuk është shtet dhe nuk ka ambasadë këtu në Shtetet e Bashkuara. Populli i saj ka nevojë të ketë një zyrë. Unë kam në dispozicion një zyrë avokatie, të përbërë nga ish-punonjës të Departamentit të Shtetit, Kongresit, apo ndihmës për presidentë të ndryshëm. Shpresojmë të organizojmë në momentin e duhur një vizitë të zotit Rugova, gjatë së cilës ai të takohet me presidentin Bush. Do të përpiqemi të organizojmë takime të ndryshme për zyrtarë të tjerë të Kosovës, si kryetarin e parlamentit apo kryeministrin, me ligjvënës dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit si dhe Departamentit të Mbrojtjes. Ne do të shërbejmë në një farë mënyre si një mjedis ku të mblidhen të gjithë ata që janë të interesuar në përparimin e Kosovës. Prej më se 10 vjetësh unë kam qenë i interesuar në çështjen e Kosovës. Përveç kësaj kam kryesuar edhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Në kuadër të kësaj detyre kam punuar edhe në Kosovë në përpjekje për të gjetur personat e zhdukur gjatë konfliktit. E njoh mirë atë territor, pasi kam qenë me dhjetëra herë dhe sa herë shkoj, mahnitem nga energjia e popullit. Njerëzit në Kosovë nuk presin ndihmën e Kombeve të Bashkuara për të filluar punën, por angazhohen vetë të parët.

Zëri i Amerikës Zoti Dole, si do t’i vlerësonit përparimet që janë arritur në Kosovë pas luftës. Siç mund ta dini edhe ju shqiptarët fajësohen për keqtrajtimin e serbëve në Kosovë dhe për faktin që siç thuhet nuk kanë marrë masat e nevojshme për të krijuar një situatë të volitshme për kthimin e refugjatëve serbë që janë larguar nga Kosova pas luftës.

Sen. Dole Është e qartë se duhet të njihen të drejtat e pakicave, në mënyrë që të njihet sa më shpejt pavarësia e Kosovës. E kuptoj se disa nga shqiptarët në Kosovë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, pasi kanë qenë viktimë e traumave të shkaktuar nga Millosheviçi dhe njerëzit e tij. Por ata duhet ta kuptojnë se për të shënuar përparim në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe të Perëndimit, duhet t’u njohin të drejta të barabarta pakicave, qofshin serbëve apo grupeve të tjera etnike. Ky është edhe një ndër synimet tona, dhe shpresojmë të japim ndihmesën tonë në këtë drejtim. Ka edhe çështje të tjera që duhen trajtuar, si tregu i zi, apo përfitimet e paligjshme, por të gjitha këto do të zgjidhen. Kosova po kalon një periudhë të vështirë, por gjithashtu po shënon përparim.

Zëri i Amerikës Bashkësia ndërkombëtare deri tani nuk ka pranuar të merret me statusin përfundimtar të Kosovës, duke theksuar se shqiptarët duhet të përmbushin fillimisht standardet e shpallura nga administratori Steiner. Shqiptarët, nga ana e tyre, thonë se paqartësitë lidhur me statusin përfundimtar, e bllokojnë zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës. Sipas mendimit tuaj, a do të ishte më mirë që çështja e statusit përfundimtar të shqyrtohej tani apo të shtyhej për më vonë?

Sen. Dole Besoj se kjo është një nga përgjegjësitë që ne do të kemi kur të punojmë me doktor Rugovën dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së Kosovës, që të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë rrugëzgjidhje. Duhet të ketë ndonjë rrugë të mesme për zgjidhjen e kësaj çështjeje që t’u japë atyre sigurinë që u nevojitet në mënyrë që ata të vazhdojnë të bëjnë plane për të ardhmen. Unë mendoj se ata janë të shqetësuar se nuk po i afrohen dot diskutimit për statusin përfundimtar. Disa kanë thënë 10 vjet, por unë mendoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë përpara 10 vjetëve. Dhe mua më duket se synimi duhet të jetë pavarësia, nëse duam të kemi stabilitet dhe të gjitha ato gjëra që duam të kemi në Kosovë për të gjithë njerëzit që jetojnë atje, ne duhet të diskutojmë sesi do të jetë ajo pas 5, 10, 15 vjetësh. Nuk besoj se ka ndonjë kufizim. Mund të jetë një vend shumë i vogël i pavarur, të ketë një ekonomi shumë të gjallë, njerëz enegjikë dhe unë jam shumë optimist për të ardhmen.

Zëri i Amerikës Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, përparësitë e politikës së jashtme amerikane kanë ndryshuar, në disa raste në mënyrë dramatike. Sipas mendimit tuaj, sa e domosdoshme është prania e vazhdueshme amerikane në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi?

Sen. Dole Angazhimi amerikan nuk do të ndryshojë. Natyrisht, që ka gjëra të tjera që kanë dalë në plan të parë, si tragjedia e 11 shtatorit, lufta ndaj al-Qaidës, çështja e Irakut. Të gjitha këto sigurisht që janë vënë në qendër të vëmendjes, por kjo nuk do të thotë se ne i kemi harruar përgjegjësitë tona për Kosovën, dhe pjesë e punës sime këtu do të jetë të punojmë me qeverinë amerikane dhe me këdo tjetër që është i interesuar për përgjegjësitë që kemi. Ne u bëmë premtime këtyre njerëzve dhe duhet t’i mbajmë premtimet tona dhe dihet që Amerika i mban premtimet e saj. Ne nuk do ta harrojmë këtë pjesë të botës, për shkak të problemeve të tjera që janë bërë tani përparësore.

Zëri i Amerikës Cili është mesazhi juaj për Kosovën dhe për popujt e Kosovës?

Sen. Dole E falenderoj popullin e Kosovës, së pari për durimin, forcën dhe kurajon e tyre, sepse ata kanë vuajtur shumë këto 10-15 vitet e fundit. Tani ata janë para shanseve dhe lirisë dhe mua më duket se kjo është në mendjen e njerëzve çdo ditë. Por duke u nisur nga përvoja ime në atë pjesë të botës, veçanërisht në Kosovë, unë jam optimist dhe dua të bëj diçka për të ndihmuar, jo vetëm Presidentin, Kryeministrin apo Kryetarin e Parlamentit, por për të gjithë njerëzit atje që kanë nevojë vërtet për ndihmën tonë. Dua t’u uroj të gjithëve mbarësi. Ne jemi shumë të lumtur për këtë që po bëjmë dhe kemi shumë besim tek njerëzit atje. Unë nuk do të angazhohesha për Kosovën nëse nuk do të kishte vërtet shpresa. Por cilido të jetë posti dhe titulli im, unë jam i angazhuar për të ndihmuar popullin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG