Presidenti Bush ka vendosur të japë urdhër për dislokimin e hershëm të një sistemi të kufizuar të mbrojtjes kundër raketave.
Sekretari amerikan i mbrojtes Donald Rumsfeld, thotë se një prej arsyeve për dislokimin e hershëm të këtij sistemi është e qartë: aktualisht Shtetet e Bashkuara nuk janë të mbrojtura nga një sulm me raketa balistike, në se ai kryhet nga Korea e Veriut, ndonjë vend tjetër apo ndonjë grup terrorist.
Megjithatë, zoti Rumsfeld tha se për arsye të përparimit që është bërë deri tani në përpjekjet për zhvillimin e mbrojtjes nga raketat, presidenti Bush ka dhënë urdhër për dislokimin e një sistemi fillestar. Ai shtoi se populli amerikan do të jetë më i sigurtë, megjithëse theksoi se nuk dëshiron të mbivlerësojë sistemin e hershëm të planifikuar.
“Mendoj se me siguri që është më mirë të kemi një sistem të tillë se sa të mos e kemi atë. Dhe kjo është arsyeja e dislokimit të tij. Megjithatë nuk dua ta mbivlerësoj atë. Nuk do të doja të mendohej se ky sistem është i përkryer. Do të duhet kohë që ai të zhvillohet.”
Pentagoni njoftoi se në bazë të planit të parë do të dislokohen 20 interceptues raketash me bazë në tokë gjatë një periudhe 2 vjeçare, duke filluar në vitin 2004.16 do ta kenë bazën në Alaskë dhe 4 në Kaliforni.
Gjithashtu, deri në 20 interceptorë me bazë në det do të dislokohen në anijet e marinës amerikane. Do të përmirësohen gjithashtu sistemet e radarëve të paralajmërimit të shpejtë në Alaska, Britani, Grenland si dhe në anije.
Sekretari amerikan i mbrojtjes Rumsfeld hodhi poshtë sugjerimet se ky program shumë-miliarda dollarësh është thjeshtë simbolik ose se është shumë herët të vihet në përdorim, duke pasur parasysh problemet e rastit, që kanë shoqëruar programin e provave.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me asgjë simbolike. Mendoj se është e rëndësishme që sistemi të dislokohet sepse duke qënë i dislokuar ne mësojmë rreth tij dhe krijojmë përvojën e duhur, duke e përmirësuar vetë sistemin me kalimin e kohës. Nuk ekziston as edhe një sistem i vetëm armësh që ne kemi që nuk është përmirësuar me kalimin e kohës.”
Pentagoni vuri në dukje në një deklaratë se objektivi i tij përfundimtar është që të dislokohet një sistem mbrojtës nga raketat i aftë për të mbrojtur jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe vendet mike dhe aleate.
Dislokimi i sitemit të mbrojtjes kundër raketave përmbush një zotim të presidentit Bush gjatë fushatës presidenciale. Me urdhërin e tij, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga traktati mbi raketat balistike, i arritur në vitin 1972 me ish Bashkimin Sovjetik, për të vazhduar planet për një program më agresiv provash kundër raketave balistike.
Pesë prej 8 provave për ndalimin e një sulmi me raketa kanë qënë të sukseshme. Prova më e fundit u krye javën e kaluar, por dështoi kur interceptori dhe raketa e tij hedhëse nuk u shkëputën nga njeri tjetri para se të goditej objektivi.
//ze//