Lidhje

Presidenti Bush shqyrton alternativat për përgjigjen ndaj raportit të Irakut - 2002-12-18


Njoftohet se këshilltarë të presidentit Bush po i rekomandojnë atij të deklarojë se Iraku po shkel rezolutën e Kombeve të Bashkuara që i kërkon Bagdadit të japë gjithë informacionin rreth armëve të tij të shkatërrimit në masë.

Mirëpo, sipas agjencive të lajmeve, zyrtarët theksojnë se ata nuk mendojnë që presidenti të deklarojë se shkeljet përbëjnë shkak të menjëhershëm për luftë. Ata thonë se ka mundësi që presidenti Bush t’i cilësojë shkeljet si çështje serioze dhe si prova që Bagdadi vazhdon përpjekjet për të mashtruar inspektorët e OKB-së për armët.

Zyrtarët thonë se këshilltarët e presidentit po diskutojnë nëse të deklarojnë që Bagdadi po kryen shkelje materiale, gjë që mund të mbështesë atë që Washingtoni e shikon si justifikim ligjor për të shpallur luftën kundër Irakut.

Ekipi presidencial i sigurimit kombëtar do ta informojë sot presidentin rreth alternativave lidhur me përgjigjen ndaj raportit të Irakut prej 12 mijë faqesh mbi armët e tij të shkatërrimit në masë.

Washingtoni ka lënë të kuptohet se nuk e shikon raportin si përmbushje të kërkesave për paraqitjen e informacionit të plotë rreth programeve irakiane të armëve. Zyrtarët thonë se dokumenti nuk shpjegon sesi Iraku asgjësoi armët kimike e biologjike që inspektorët e OKB-së identifikuan para se të largoheshin nga ai vend në dhjetor të vitit 1998.

Kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Blix, do të informojë nesër Këshillin e Sigurimit mbi vlerësimet e tij rreth raportit irakian.

Pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit kanë kopje të paredaktuara të raportit, kurse 10 vendeve anëtare jo të përhershme u janë paraqitur kopje të redaktuara të deklaratës. //ad//

XS
SM
MD
LG