Lidhje

Shtetet e Bashkuara japin sot përgjigjen ndaj raportit të Irakut për armët - 2002-12-18


Shtetet e Bashkuara do të japin sot përgjigjen zyrtare ndaj deklaratës së Irakut mbi armët e tij të ndaluara. Administrata e Presidentit Bush ka hedhur tashmë poshtë pretendimin e Bagdadit se nuk ka armë të shkatërrimit në masë. Në të njejtën kohë adminsitrata ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin veprime të shpejta e të njëanëshme kundër Irakut.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell, do të paraqesë sot përgjigjen amerikane pasi kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, do të mbajë një fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York. Dje, zoti Powell tha se raporti i Irakut përmban mungesa shqetësuese, por ai tha se Uashingtoni “do t’i përmbahet procesit të Kombeve të Bashkuara” dhe do të punojë me komunitetin ndërkombëtar gjatë disa javëve të ardhëshme për të vendosur se çfarë do të bëhet më tej.

Presidenti Bush mund të bëjë një deklaratë ndoshta që nesër. Zoti Bush u takua me këshilltarë të lartë të tij dje, ndërsa njoftohet se ai mund ta deklaronte qendrimin e Irakut në shkelje të rezolutës së Kombeve të Bashkuara për çarmatimin. Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Bush është i shqetësuar se Iraku nuk u ka dhënë inspektorëve të Kombeve të Bashkuara të gjitha hollësitë mbi programin e tij të armëve.

Kryeinspektori i OKB-së për armët tha dje se deri tani nuk ka prova se Iraku ka zhvilluar një program bërthamor që nga viti 1998 kur inspektorët e Kombeve të Bashkuara kryenin kontrolle për armët në Irak.//ic//

XS
SM
MD
LG