Lidhje

Një studim i ri mjeksor mbi kurimin e tensionit të lartë - 2002-12-19


Tensioni i larte shpesh është quajtur “një vrasës i heshtur”. Një studim i fundit, ndër më të rëndësishmit sipas komunitetit mjekësor, i botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë mund të ndryshojë mënyrën e kurimit të atyre që vuajnë nga tensioni i lartë. Studimi, arrin në përfundimin se një grup ilaçesh, të klasës së diuretikëve, të përdorur që para 50 vjetësh, jo vetëm që kushtojnë shumë më pak por janë edhe më të efektëshme sesa ilaçet e reja që firmat farmaceutike i reklamojnë me aq bujë.

Për uljen e tensionit në nivele normale ekzistojnë rreth 180 lloj ilaçesh. Por sipas një studimi të fundit, ilaçe e klasës së diuretikëve janë më të efektshmit për këtë qëllim.

“Gjatë studimit, vumë re këto ilaçe të vjetra janë më të mira jo vetëm për uljen e tensionit por edhe për parandalimin e komplikacioneve kardio-vaskulare,” thotë mjeku Paid Whelton i Departamentit të Mjeksisë në Universitetin Tulane.

Sipas studimit, pacientët e trajtuar me diuretikë, një klasë ilaçesh që pakësojnë kripërat dhe lëngjet në organizëm, rrezikoheshin më pak nga goditjet në zemër dhe zmadhimi i zemrës, sesa pacientët që merrnin ilaçe të reja e më të shtrenjta.

Studimi i financuar nga qeveria, që mori në shqyrtim 33 mijë persona 55 vjeç e sipër, ështe studimi më i gjerë klinik i këtij lloji i kryer ndonjëherë.

Çdo pacient pjesmarrës në studim e kishte tensionin 14 me 9 ose më të lartë. Disave iu dhanë diuretikë, si hidro-kloro-tiazide, të tjerëve iu dhanë ilaçe të reja të klasës së adelatit dhe amlodipinës, dhe një grupi tjetër, ilaçe të klasës së kaptoprilit.

Rezultatet ishin aq të qarta se që një mjek tha se nëse pacientët që vuajnë nga tensioni i lartë nuk marrin ilaçe të tilla, duhet të pyesin mjekun e tyre se përse nuk u ka dhënë.

“Ky studim shënon një pikë kthese. Studimi është i gjërë, i saktë dhe i pakundërshtueshëm, dhe mendoj se do të ketë një ndikim mjaft të madh në praktikën mjekësore,” thekson mjeku Michael Alelerman i Kolegjit të Mjeksisë Albert Einstein.

Diuretikët, të prodhuara prej kohësh, kushtojnë me lirë, një dozë mujore është më pak se 9 dollarë. Ndërsa ilaçet e reja të paktën 4 herë më shumë. Kjo është arsyeja që firmat farmaceutike u bëjnë atyre reklama të fuqishme.

Për t’i bërë ballë kësaj gjëndjeje, Instituti Kombëtar i Shëndetit po ndërmerr një përpjekje të pashembullt për të nxitur përdorimin e diuretikëve. 700 mjekë që morën pjesë në studim do të shpërndahen në mbarë vendin në përpjekje për të bindur mjekët që t’u këshillojnë më shpesh pacientëve të tyre ilaçe diuretikë.

Aktualisht, vetëm 30 përqind e personave që vuajnë nga tensioni i lartë trajtohen me diuretikë. Shkencëtarët thonë se nëse arrijnë që ky numër të ngrihet në 50 përqind, kjo do të shpëtonte jetë njerëzish dhe do t’i kursente ekonomisë çdo vit miliarda dollarë. //ad//

XS
SM
MD
LG