Lidhje

Shkrimtarët përshkruajnë përvojat e tyre në Amerikë - 2002-12-25


Mirëkuptimi më i thellë ndërmjet popujve ka rëndësi thelbësore për paqen botërore. Disa nga kontaktet më të efektshme ndërmjet vendeve të ndryshme nuk realizohen nga diplomatë profesionistë por nga qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, arsimtarë, artistë, shkrimtarë, bile edhe nga turistë. Përmes këtyre shkëmbimeve, njerëz nga vende të ndryshme mund të mësojnë shumë për njëri-tjetrin.

Shtetet e Bashkuara financojnë shumë programe për të sjellë vizitorë në këtë vend dhe për të dërguar shtetas amerikanë jashtë vendit. Përmes ambasadave të tyre në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara u ofrojnë njerëzve në vende të tjera të dhëna të shumta për jetën në Amerikë si dhe për vlerat amerikane.

Kohët e fundit, Departamenti amerikan i Shtetit filloi të shpërndajë një libër me shkrime mbi përvojën e shkrimtarëve në Amerikë. Ndër katërmbëdhjetë shkrimtarët që përfshinë punime të tyre në këtë libër, janë edhe katër fitues të Çmimit Pulicer. Pritet që shumë nga shkrimtarët të shkojnë në vende të ndryshme për të folur për profesionin e tyre. Ata shkruajnë për Amerikën si toka e lirisë dhe e mundësive, dhe për disa prej tyre nganjëherë edhe vend i vështirësive. Ata e përshkruajnë Amerikën si një vend ku toleranca vlerësohet lart, por ku njerëzit dhe institucionet nuk e kanë përmbushur gjithmonë atë ideal të lartë.

Shumë nga shkrimtarët u rritën në familje me të ardhura të pakta. Disa prej tyre imigruan në Shtetet e Bashkuara ose kishin prindër imigrantë apo u përkasin pakicave të ndryshme. Disa morën pjesë në lëvizjen për të drejtat civile në vitet ’60 dhe të gjithë janë ndikuar prej saj. Në këtë periudhë, Amerika i dha fund diskriminimit racor kundër zezakëve.

Julia Alvarez erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Republika Domenikane në moshë të vogël. Ajo shkruan: “Kur po merrnin fund vitet ’60 dhe po futeshim në vitet ’70, vendi përreth meje po ndryshonte. Qytetarët po i bënin trysni Amerikës të përmbushte premtimet e saj... Liria ofronte mundësinë për t’i dhënë një formë të re vendit, për të kontribuar për eksperimentin që kishte filluar, por që nuk ishte vënë kurrë më parë në provë, që nga njerëz të ndryshëm të krijohej një komb, i pandashëm, me liri dhe drejtësi për të gjithë.”

Amerikanët vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar veten dhe vendin e tyre, ashtu si njerëzit kudo gjetkë. Siç shkruan shkrimtari afrikano-amerikan Charles Johnson: “Gjithmonë e kam konsideruar jetën time në Amerikë si një aventurë mësimi, rritjeje dhe shërbimi. Në këtë vend, asnjë individ apo grup, i bardhë apo i zi, nuk mund të më thotë mua të mos ëndërroj, të më censurojë, ose të më pengojë të përpiqem deri në realizimin e këtyre ëndrrave.”

XS
SM
MD
LG