Lidhje

Sekretari Powell: Washingtoni do të përdorë diplomacinë në mosmarrëveshjen me Korenë e Veriut - 2002-12-29


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se Koreja e Veriut po angazhohet në diçka jo-pozitive, por ai shtoi se Washingtoni do të përdorë diplomacinë dhe jo forcën në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi çështjen bërthamore.

Zoti Powell, i cili mori sot pjesë në emisionin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC, tha se problemi lidhur me Korenë e Veriut nuk është krizë, por shqetësim.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk po planifikojnë ndonjë sulm parandalues kundër Koresë së Veriut, pasi ekziston një gamë e gjerë alternativash politike, ekonomike dhe diplomatike.

Ky vend komunist ka bërë përgatitje për rifillimin e operacioneve në një kompleks bërthamor, për të cilin ekspertët thonë se është në gjendje të prodhojë armë brenda disa muajsh.

Ndërkohë një koment i gazetës zyrtare koreano-veriore Rodong Sinmun fajëson Shtetet e Bashkuara për shkallëzimin e tensioneve në Gadishullin Korean dhe shkruan se vendi nuk do të tërhiqet para trysnisë amerikane. Në koment shkruhet gjithashtu se Peniani ende shpreson ta zgjidhë krizën në mënyrë paqësore.

Koreja e Veriut thotë se po riaktivizon programin e saj bërthamor në kompleksin Yongbyon për të prodhuar energji elektrike, sepse Washingtoni dhe aleatët e tij kanë ndërprerë furnizimet me naftë të parashikuara në një marrëveshjeje të vitit 1994. Sipas marrëveshjes, Peniani u zotua të mbyllë centralet bërthamore.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i prenë furnizimet me naftë, pasi Koreja e Veriut i pohoi një zyrtari amerikan në muajin tetor se kishte një program të fshehtë bërthamor. //az//

XS
SM
MD
LG