Lidhje

Nano: Nuk shoh arsye për ndryshime në qeveri - 2002-12-30


Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano tha të hënën se nuk po mendon të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar, duke u dhënë kështu përgjigje zërave për mosmarrëveshje mes tij dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ai i bëri komentet në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës nga Kajro, me rastin e fundit të vitit.

Zoti Nano ia atribuoi qëndrueshmërinë dhe suksesin e deritanishëm të qeverisë së tij, marrëdhënieve mes anëtarëve të saj, atyre mes partnerëve të koalicionit dhe me opozitën.

Ai tha se këto marrëdhënie janë në funksion të objektivave të zhvillimit dhe integrimit kombëtar dhe jo të interesave të pjesshme.

”Qeveria që unë drejtoi po fuksionon në linjat e programit, në disiplinën e marrëdhënieve të administrimit publik që buron nga maxhoranca dhe kushtetuta, si edhe në klimën më të favorshme që është krijuar, për shkak të një raporti dhe angazhimi më serioz midis maxhorancës dhe spektrit politik opozitar”, tha kryeministri Nano.

Duke folur për qeverisjen e drejtuar prej tij, që kur mori postin para gjashtë muajsh, kryeministri Nano tha se ndryshimet janë të prekshme. Ai përmendi si arsye klimën politike më të përgjegjshme dhe angazhimin e të gjithë aktorëve politikë në reforma, fillimin e aksionit në luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, ekonomisë informale, evazionit fiskal, mangësive në administrimin publik dhe shpërdorimit të fondeve publike në të kaluarën.

Zoti Nano shprehu optimizëm për ecurinë në rrugën e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, si edhe vazhdimësinë e shëndoshjes së institucioneve ekonomike dhe shoqërisë së hapur për të cilat ai shpreson se do të çojnë në plotësimin e standardeve për anëtarësimin në NATO.

Ndër problemet për të cilat zoti Nano mendon se mbetet shumë për të zgjidhur janë ato që kanë të bëjnë me shërbimet e specializuara të sigurisë dhe rendit publik, sistemin e drejtësisë, luftën kundër varfërisë dhe rritjen e sipërmarrjes ekonomike.//kk//

XS
SM
MD
LG