Lidhje

Presidenti Bush: Lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë me durim dhe vendosmëri - 2003-01-01


Në vitin 2002, Shtetet e Bashkuara vazhduan të ndeshen me rreziqet e terrorizmit botëror. Viti filloi me çlirimin e Afganistanit dhe vendosjen e një qeverie të re në atë vend. Forcat e koalicionit kanë kapur ose kanë vrarë një numër udhëheqësish terroristë të al-Qaidës. Më shumë se 500 persona të dyshuar si terroristë mbahen në bazën amerikane në Gjirin Guantanamo të Kubës. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për të tjerët.

Edhe kampet për stërvitjen e terroristëve në Afganistan dhe gjetkë janë shkatërruar. Celulat terroriste në Shtetet e Bashkuara, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Azi janë shpërbërë. Dhe pasuri të terroristëve me vlerë prej më shumë se 110 milion dollarësh janë ngrirë. Po gjatë vitit 2002, Shtetet e Bashkuara ndihmuan në stërvitjen e forcave anti-terroriste në Filipine, Jemen, ish-Republikën Sovjetike të Gjeorgjisë si dhe në vende të tjera.

Mbetet shumë më tepër për të bërë. Terrorizmi ende paraqet një kërcënim të qenësishëm. Në tetor, cisterna franceze Limburg u sulmua në brigjet e Jemenit. Po atë muaj, terroristët vranë më shumë se 108 vetë në Bali të Indonezisë. Dhe në një videokasetë të bërë publike në nëntor, udhëheqësi terrorist i al-Qaidës Osama bin Laden kërcënoi jo vetëm Shtetet e Bashkuara por edhe Australinë, Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Siç ka thënë presidenti George Bush, “Lufta kundër terrorizmit kërkon gjithashtu nga ne të ndeshemi me rrezikun e dhunës katastrofike që paraqet Iraku dhe armët e tij të shkatërrimit në masë.” Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i kanë dhënë regjimit të Sadam Huseinit një mundësi të fundit për të hequr dorë nga armët e tij të shkatërrimit në masë, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të miratuara që pas pushtimit të Kuvaitit nga Iraku 12 vjet më parë. “Tani i takon diktatorit irakian të bëjë të ditur dhe të shkatërrojë arsenalin e tij të armëve,” tha presidenti Bush. “Nëse ai nuk pranon, atëherë për hir të paqes, Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin një koalicion për të çarmatosur regjimin e Irakut dhe për të çliruar popullin irakian.”

“Gjatë vitit të ri,” tha presidenti Bush, “ne do ta vazhdojmë luftën kundër terrorizmit me durim, përqëndrim dhe vendosmëri. Me ndihmën e një koalicioni të gjerë, ne do të bëjmë të mundur që terroristët dhe përkrahësit e tyre të mos ndjehen të sigurtë në asnjë shpellë apo qoshe të botës.”

XS
SM
MD
LG