Lidhje

Analistët: Viti 2003, përsëri sfida për faktorin shqiptar - 2003-01-03


Tre analistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia parashikojnë që viti 2003 të jetë një vit sfidash për faktorin shqiptar dhe thonë se synimi i shqiptarëve është shfrytëzimi i mundësive për bashkëpunim dhe integrim dhe jo krijimi i një Shqipërie të Madhe.

Fatos Lubonja nga Tirana, Ylber Hysa nga Prishtina dhe Kim Mehmeti nga Shkupi, në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehën mendimet e tyre për zhvillimet e vitit të kaluar, si edhe shpresat dhe shqetësimet për vitin që sapo filloi.

Ndërsa në Shqipëri, ka shenja se lufta politike do të zhvillohet sipas rregullave të një loje të ndershme, Fatos Lubonja, botues i revistës ”Përpjekja” tha se është ecur përpara në bashkëjetesën e të ndryshmëve, por shtoi se pak është bërë për një bashkëpunim dhe dialog racional mes tyre.

Zoti Lubonja theksoi se këtë vit sfida do të jetë kalimi nga shteti informal i korruptuar në atë formal dhe në këtë pikëpamje të shkohet drejt plotësimit të standardeve evropiane.

Në Kosovë, gjatë vitit që kaloi u konsoliduan më tej institucionet e parlamentit, qeverisë dhe presidentit, megjithëse udhëheqësit shqiptarë janë të pakënaqur për mungesë kompetencash.

Lidhur me këtë çështje Ylber Hysa, drejtor i organizatës ”Aksioni kosovar për nisma civile” tha se në Kosovë nuk mungon kultura demokratike, por kjo nuk mjafton për një shtet funksional. Ai tha se duhet ndërtuar një strategji për bartjen e kompetencave.

Zoti Hysa shprehu mendimin se zgjidhja e statusit të Kosovës me plotësimin e standardeve për një shoqëri demokratike mund të shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Zoti Hysa nuk parasheh përplasje të mëdha mes shqiptarëve dhe administratës ndërkombëtare, por thotë se probleme mund të krijohen nëse UNMIK-u nuk ka një strategji që të trajtojë çështjen e statusit.

Ndërsa në Maqedoni, viti 2002 solli nje qeveri te re dhe mundesinë për më shumë stabilitet, hija e konflikteve etnike vazhdon te jete ende e pranishme. Shkrimtari Kim Mehmeti, drejtor i qendrës për bashkëpunim shumëetnik, e sheh pikërisht këtu problemin në Maqedoni, por edhe tek ecuria e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Ai thotë se në Maqedoni nuk u realizua shoqëria multietnike, por u bë një paralelizëm etnik, që nuk mund të quhet bashkëjetesë. Zoti Mehmeti shtoi se Maqedonia duhet të kalojë në fazën ku profesionalizmi t’ia kalojë politizimit.

Një problem pak a shumë të njëjtë zoti Lubonja e sheh në Shqipëri. Ai mendon se aty duhet ngritur niveli kulturor, në mënyrë që të shmanget polarizimi politik. Për të, kjo është një sfidë për shoqërinë shqiptare.

Zoti Lubonja tha se klasa aktuale politike nuk krijon hapësira për forca të reja dhe se ajo ka uzurpuar gjithçka.

Zoti Lubonja dhe zoti Hysa, e hedhin poshtë frikën se shqiptarët mund të synojnë krijimin e një Shqipërie të Madhe. Zoti Hysa thotë se një bashkëpunim normal mes Tiranës dhe Prishtinës, e ul rëndësinë e kufijve si barriera dhe frika e ”Shqipërisë së Madhe” është iracionale. Zoti Lubonja në të njëjtën linjë thotë se shtetet ballkanike do të hyjnë në Evropë veç e veç dhe nuk synojnë ndryshime që ta pengonin një gjë të tillë.

Ai thotë se frika për Shqipërinë e Madhe shtohet pasi evropianët nuk e kanë ende të qartë vizionin për shqiptarët. Shqetësimi i tij është se shqiptarët nuk po i shfrytëzojnë siç duhet mundësitë e bashkëpunimit, pasi deri tani i kanë parë marrëdhëniet mes tyre më shumë si dashuri platonike se sa si shanse për bashkëpunim. //kk//

XS
SM
MD
LG