Lidhje

Presidenti Bush: ”Trupat amerikane do të luftojnë për çlirimin  e një populli dhe jo për pushtimin e tij,... - 2003-01-04


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcën nëse Iraku nuk bashkëpunon me inspektorët e OKB-së. Presidenti Bush përsëri theksoi se presidenti irakian, Sadam Husein, duke mos deklaruar armët e shkatërrimit në masë po shkel rezolutat e OKB-së.

Duke folur para ushtarëve amerikanë në një bazë ushtarake në Teksas, presidenti Bush tha se deklarata që Iraku i paraqiti Kombeve të Bashkuara mbi armët e tij, nuk është e besueshme pasi nuk përmban informacion rreth armëve kimike dhe bilogjike.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar i ka treguar Sadam Huseinit rrugën drejt paqes, por deri tani udhëheqësi irakian ka zgjedhur rrugën e kundërshtimit. “Ne jemi tani të sigurt se udhëheqësi irakian po kundërshton vullnetin e Kombeve të Bashkuara, të Këshillit të Sigurimit dhe po shkel rezolutat e tyre. Ai nuk e përfill opinionin e komunitetit ndërkombëtar.”

Presidenti Bush u tha trupave se përdorimi i forcës ushtarake në Irak është alternativa e fundit dhe se ende shpreson që Sadam Huseini të pranojë të çarmatoset vullnetarisht. Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, presidenti Bush tha se trupat amerikane do të luftojnë për çlirimin e një populli dhe jo për pushtimin e tij.

Bagdadi thotë se Washingtoni po planifikon të pushtojë Irakun pavarësisht nga rezultatet e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara. Një gazetë shtetërore irakiane nuk e përfilli deklaratën e presidentit Bush për të mënjanuar luftën dhe shkruante se ai vetëm po përpiqet të pakësojë zemërimin botëror ndaj veprimeve të mundshme usharake.

Zoti Bush përsëri u përpoq të bënte dallim midis konfrontimit me Irakun rreth armëve të shkatërrimit në masë dhe çështjes me Korenë e Veriut mbi rifillimin e programit të saj bërthamor. ”Situata të ndryshme kërkojnë strategji të ndryshme që nga trysnia diplomatike deri tek përdorimi i forcës. Por, në secilin rast, vendosmëria e vendit tonë është e njëjtë. Ne duhet dhe do të mbrojmë popullin amerikan, miqtë dhe aleatët tanë nga dhuna katastrofike, kudo që të jetë burimi dhe cilido të jetë kërcënimi”.

Në rastin e Koresë së Veriut presidenti Bush tha se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të flasë “me një zë të përbashkët” për të bindur Penianin të heq dorë nga ato që presidenti i quajti “ambicje të tij bërthamore”. Presidenti Bush tha se Koreja e Veriut është një ballafaqim diplomatik dhe jo ushtarak pasi ky vend nuk ka të njëjtën histori si Iraku që ka pushtuar fqinjët e tij dhe ka përdorur armë kimike kundër civilëve të vet. //az//

XS
SM
MD
LG