Lidhje

Kalendari Historik 3 janar - 2003-01-06


Më 3 janar 1961, Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet me Kubën. Qeveria kubane e Fidel Kastros kishte drejtuar akuza dhe fyerje ndaj Shteteve të Bashkuara për rreth një vit. Punonjësit e ambasadës amerikane në Havanë po kërcënoheshin në mënyrë sistematike. Fidel Kastro i kishte akuzuar shpesh Shtetet e Bashkuara se po zhvillonin veprimtari të fshehtë kundër qeverisë së tij. Ngjarja që më së fundi solli ndërprerjen e marrëdhënieve më 3 janar 1961 ishte kërkesa e Fidel Kastros që ambasada amerikane të pakësonte brenda 48 orësh personelin e saj në 11 vetë. Presidenti Dwight Eisenhower iu përgjigj kërkesës kubane duke deklaruar “Durimi i Shteteve të Bashkuara ka një kufi. Dhe kjo që po ndodh e kalon kufirin.”

Më 3 janar 1959, Territori i Alaskës u bë shteti i 49 i Shteteve të Bashkuara. Presidenti Eisenhower nënshkroi proklamatën e shtetësisë si dhe urdhërin ekzekutiv i cili kërkonte që në flamurin e Shteteve të Bashkuara tani të përfshiheshin 49 yje. Alaska njihej si “Amerika ruse,” para se Shtetet e Bashkuara tja blinin këtë territor Rusisë në vitin 1867. Alaska, e cila ka një sipërfaqe prej më se një milion e gjysmë kilometrash katrorë, është sa një e pesta e sipërfaqes kontinentale të Shteteve të Bashkuara. Nga nëntoka e Alaskës janë nxjerrë sasi të shumta nafte dhe gazi natyror, dhe mendohet se nëntoka e këtij territori mban rezerva të tjera më të mëdha. Alaska ka gjithashtu pasuri të shumta minerare. Por rregullat dhe ligjet federale për mbrojtjen e mjedisit kanë vendosur kufizime ndaj punimeve minerare, në mënyrë që të mos dëmtohet mjedisi natyror i Alaskës. Klima e ashpër e këtij territori ka qenë gjithashtu një faktor që ka ndikuar në mbrojtjen e burimeve natyrore të Alaskës.// lk //

XS
SM
MD
LG