Lidhje

Të reja shkencore për vitin 2002 - 2003-01-08


Një fakt i rëndësishëm për mjekësinë vitin e kaluar ishte rritja e numrit të njerëzve që vuajnë nga SIDA. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, 42 milionë njerëz janë të infektuar me virusin HIV. Rreth 39 milionë e të infektuarve janë të rritur dhe mbi 19 milionë prej tyre janë gra.

Zytarë të OKB-së thanë se një numër i madh grash janë infektuar me virusin HIV, për shkak të marrëdhënieve seksuale me partnerë të infektuar nga ky virus. Sipas studimeve, virusi HIV kalon më lehtë nga burrat tek gratë, sesa anasjelltas.

Arsyeja kryesore për shtimin e numrit të grave të infektuara me virusin HIV është kriza e SIDË-s në Afrikën Jugore. 58 për qind e të infektuarve janë gra. Në raport thuhet se kjo është nga arsyet për uljen e prodhimit bujqësor në disa vende afrikane, ku gratë kryejnë pjesën më të madhe të punëve në fermat familjare. Zyrtarët e OKB-së thonë se mbi 14 milionë njerëz rrezikohen nga uria në 6 vend afrikane, Lesotho, Malawi, Mozambiku, Swazilandi, Zambia dhe Zimbabveja.

OKB-ja gjithashtu njoftoi për shtimin e numrit të infektimeve në radhët e grave në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe rajonin e Detit të Karaibeve. Në raport theksohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore kanë ritmin më të madh të rritjes së numrit të njerëzve të të infektuar me virusin HIV.

Në rajonet e Azisë dhe Oqeanit Paqësor, më tepër se 7 milionë njerëz janë prekur nga virusi HIV. Në Kinë, numri i personave të infektuar ka arritur në më tepër se 1 milionë. Ndërsa në Indi, numri i të infektuarve këtë vit ka arritur në rreth 4 milionë vetë. Zyrtarët e OKB-së thonë se për të luftuar SIDË-n nevojiten të paktën 10 miliardë dollarë deri në vitin 2005. Shpenzimet deri tani ka arritur shifrën e 3 miliardë dollarëve.

Një tjetër arritje e rëndësishme e shkencës për vitin e kaluar ishte debati mbi vaksinën për parandalimin e sëmundjes së lisë. Lija shkaktohet nga virusi i variolës. Ajo përhapet kur një person i infektuar me këtë virus kollitet, apo teshtin. Lija mund të dëmtojë trurin dhe organe të tjera të trupit të njeriut. Ajo shkakton vdekjen e rreth 30 për qind të personave që preken nga virusi. Deri më sot, nuk ka ndonjë mjekim për linë. Vaksina i dha fund kërcënimit nga lija në mbarë botën, në vitin 1977. Por sot, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar nga fakti se terroristët mund ta kenë virusin dhe mund ta përdorin atë për një sulm të mundshëm biologjik.

Në muajin dhjetor, presidenti Bush bëri të njohur një plan për mbrojtjen e popullit amerikan nga kërcënimi i lisë. Sipas planit, fillimisht do të vaksinohen forcat ushtarake, punonjësit e shëndetësisë dhe ata të emergjencës. Në vitin 2004, do të fillojnë të vaksinimi masiv i njerëzve. Specialistët thonë se është e drejta e çdo personi për të vendosur në se do ta bëjnë, apo jo vaksinën e lisë.

Megjithatë, vaksina e lisë mund të jetë e rrezikshme. Ajo mund të shkaktojë edhe vdekjen. Vaksina është një virus i gjallë, i ngjashëm me atë që shkakton linë. Vaksina mund të përhapet në të gjithë trupin e njeriut dhe mund të shkaktojë infeksionin.

Sipas të dhënave të viteve ’60, në çdo një milionë njerëz, një ose dy persona të vaksinuar kanë vdekur. Nëntë të tjerë janë prekur nga infeksione të trurit dhe më tepër se 100 të tjerë kanë patur infeksione të rënda të lëkurës. Qindra persona të tjerë të vaksinuar kanë patur probleme të ndryshme shëndetësore.

Specialistët e mjekësisë mendojnë se në ditët tona, një numër edhe më i madh njerëzish mund të vuajnë nga reaksionet që shkakton vaksina e lisë. Midis tyre janë pacientët që vuajnë nga kanceri, të cilët mjekohen me kemioterapi, njerëzit e infektuar me virusin HIV dhe ata që vuajnë nga sëmundje të lëkurës, si ekzema, për shembull. Mjekët thonë se vaksina e lisë nuk është provuar tek fëmijët dhe ajo nuk mund të jetë e sigurtë në se përdoret tek ata.

Shumë punonjës të shëndetësisë e kanë kritikuar vendimin e presidentit Bush për përdorimin në masë të vaksinës së lisë. Ata thonë se rreziku për t’u sëmurur pas marrjes së vaksinës është më i madh se ai i vetë sëmundjes, me përjashtim të rastit të një sulmi të vërtetë terrorist.//lk//

XS
SM
MD
LG