Lidhje

Klonimi i njeriut: ngjashmëritë dhe dallimet me binjakët e natyrshëm - 2003-01-08


Njoftimi i një sekti kanadez kohët e fundit se kishte krijuar klonin e parë njerëzor, u pasua nga një debat i gjerë etik. Disa thonin se prodhimi i kopieve identike gjenetikisht të njeriut është njësoj si të luash rolin e Zotit. Të tjerët përgjigjeshin se klonimi, i cili ndeshet në binjakët e lindur natyrshëm, do të ishte një zgjidhje e vlefshme për çiftet që nuk bëjnë fëmijë. Por, çfarë është klonimi gjenetik, çfarë ofron ai dhe cilat janë kufizimet e tij. Megjithëse ende nuk është gjetur përgjigja e dilemës për të klonuar ose jo qenie njerëzore, mënyra shkencore e klonimit është e qartë, thotë Jan Witkovski, biokimist në një laborator në Long Island: “Klonimi është teknikisht një proces relativisht i qartë, i përbërë nga dy komponente: së pari është personi që klonohet, të cilit i merret material gjenetik. Për këtë mjafton të merren disa qeliza të cilat përmbajnë gjithë informacionin e nevojshëm gjenetik. Komponenti tjetër është një qelizë riprodhuese, pra veza. Vezës së një gruaje i hiqet materiali gjenetik dhe zëvendësohet me materialin e marrë nga personi që do të klonohet. Pasi qeliza ndahet dhe krijon 4-5 qeliza të tjera, e vendos atë në mitrën e një gruaje ku fillon zhvillimin normal,” thotë biokimisti Witkowski.

Por Jan Witkovski thekson se, megjithëse individët e klonuar mund të jenë gjenetikisht të njejtë me personin nga u mor materiali gjenetik, ata mund të jenë krejt të ndryshëm nga pikëpamja psikologjike dhe nga sjellja. Ky fenomen shihet aktualisht edhe tek binjakët identikë, megjithëse ata kanë të njëjtën ADN. “Edhe binjakët identikë mund të ndryshojnë nga njëri-tjetri. Vetë procesi i rritjes mund t’i ndryshojë binjakët. Nëse i ndan dy binjakë identikë që në lindje dhe njëri prej tyre rritet në një familje ku ka ushqim të bollshëm, përkujdesje, higjenë dhe kujdes shëndetsor, ai mund të ketë tipare fizike të ndryshme nga binjaku tjetër të cilit mund t’i kenë munguar shumë gjëra,” thotë zoti Witkovski.

Përveç këtyre dallimeve, mund të ketë edhe të tjera jo aq të dukshme ndërmjet binjakëve identikë dhe individëve të klonuar, të cilat ende nuk dallohen nga shkenca. Debbie dhe Lisa Ganz janë binjake identike dhe bashkë-themeluese të Twinsworld - pikë-com një organizatë për të ndihmuar binjakët. “Klonimi nuk është i natyrshëm, kurse binjakët identikë janë. Ne nuk jemi thjeshtë kopie të njëra-tjetrës fizikisht, por edhe nga ana emocionale dhe psikologjike. Ne jemi rritur në të njëjtin mjedis në të njëjtën periudhë kohore dhe nën të njëjtat ndikime. Vëllai apo motra binjake është një mik i ngushtë zemre. Njohim shumë binjakë që s’janë martuar kurrë, janë 80 vjeç dhe ende jetojnë bashkë. Ata e pohojnë se kishin dëshirë të martoheshin, por e ndjenin se nuk do ta kishin kurrë të mundur të gjenin një marrëdhënie të ngjashme me atë që kanë krijuar me binjakun,” thotë Debbie Ganz.

Motrat Ganz kanë një moto për binjakët, që mund të përdoret në një farë mënyre edhe për klonët. Ata thonë “shumë njerëz kanë aftësinë të lënë një përshtypje të parë vetëm një herë në jetë, kurse ne mund ta bëjmë një gjë të tillë dy herë!”

XS
SM
MD
LG