Lidhje

Bush: Sadam Huseinit po i mbaron afati që të çarmatoset - 2003-01-15


Presidenti Bush tha se Sadam Huseinit po i mbaron afati që të heqë dorë nga armët e dyshuara të shkatërrimit në masë. Këtë koment presidenti e bëri ndërkohë që inspektorët e armëve thanë se kanë nevojë për më shumë kohë për inspektimet e tyre.

Presidenti Bush tha se çështja nuk është se sa do të zgjasin inspektimet, por nëse mbas 11 vitesh rezolutash të Kombeve të Bashkuara, Sadam Husein më në fund do të çarmatoset.

“Bota është e bashkuar dhe ne i kemi dhënë Sadam Huseinit edhe një mundësi të fundit për t’u çarmatosur. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë provë që të tregojë se ai po çarmatoset. Sadam Huseinit nuk i ka mbetur edhe shumë kohë. Ai duhet të çarmatoset. Jam lodhur me lojrat dhe mashtrimet e tij, tha presidenti. Kjo është pikpamja ime për sa i përket afatit të inspektimeve.”

Presidenti Bush tha se raporti i 27 janarit i inspektorëve të Kombeve të bashkuara do të jetë fillimi i asaj që ai e quan ”faza përfundimtare” që do të çojë në marjen e një vendimi nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin e forcës ushtarake në Irak.

Inspektorët e armëve duan më shumë kohë. Krye-inspektori i armëve, Hans Blix, tha dje për gazetën The Washington Post se raporti i 27 janarit do të shënojë ”fillimin e procesit të inspektimit dhe vëshgimit, dhe jo fundin e tij.”

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, tha se inspektorët sapo kanë filluar të punojnë me efektshmëri të plotë. Ai u shpreh se paqja është ende e mundshme në Irak, por qeveria atje duhet të mbushë, siç u shpreh ai, disa të “boshllëqe madhore” në raportin e saj të armëve dhe të bashkëpunojnë në mënyrë më aktive me inspektorët në punën e tyre në kërkim të armëve të shkatërrimit në masë.

Nëse inspektorët arrijnë në përfundimin se Iraku ka shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit do të mblidhet për të diskutuar mbi pasojat. Nëse presidenti Bush nuk mbetet i kënaqur me këto pasoja, ai është shprehur se do të drejtojë një koalicion të tij për ta çarmatosur Irakun me forcë.

Presidenti thotë se Iraku përbën një kërcënim sepse ai mund t’i ndihmojë terroristët që të përdorin armë të shkatërrimit në masë kundër Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre. Iraku thotë se Shtetet e Bashkuara duan ta pushtojnë vendin për të shtënë në dorë burimet e tij të naftës.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara po dërgojnë më shumë trupa në rajon.

Kancelari gjerman, Gerhard Shreder, tha dje se ai do të preferonte një rezolutë të dytë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së para ndërmarrjes së ndonjë operacioni ushtarak kundër Irakut.

Dje inspektorët e armëve vizituan disa objekte, përfshirë një uzinë irakiane të provave me motorët e raketave dhe një magazinë ushtarake në Bagdad.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se puna e inspektorëve është vështirësuar nga një regjim irakian që sipas tij po fsheh armë të ndaluara kimike dhe biologjike.

“Nëse Iraku dështon të bashkëpunojë, atëherë misioni i inspektorëve për të provuar nëse Sadam Huseini ka apo jo armë të tilla të ndaluara do të bëhet tepër i vështirë, sepse siç e dimë këto armë mund të fshihen, tha zoti Fleischer.”

Krye-inspektori i armëve të OKB do të vizitojë Bagdadin këtë fundjave. Zoti Blix pritet t’u thotë zyrtarëve irakianë që të paraqesin prova të reja rreth programit të tyre të armëve, ose përndryshe do të përballen me operacione ushtarake.

//ze//

XS
SM
MD
LG