Lidhje

Libia, zgjedhje e gabuar për drejtimin e Komisionit të të Drejtave të Njeriut - 2003-01-16


Javën e ardhshme, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut fillon takimin e tij të përvitshëm në Gjenevë. Pika e parë në rendin e ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit. Tradicionalisht, çdo vit drejtimi i komisionit ku marrin pjesë 53 vende, i kalon një vendi nga pesë rajonet më të mëdha gjeografike. Këtë vit, është radha e Afrikës dhe anëtarët e grupit rajonal të Afrikës kanë lënë të kuptohet se parapëlqejnë Libinë.

Shtetet e Bashkuara do të votojnë kundër Libisë dhe shpresojnë se edhe vende të tjera do të bëjnë të njëjtën gjë.

Arsyet janë të qarta. Njihet e kaluara e Libisë si shkelëse e të drejtave të njeriut. Në këto shkelje bëjnë pjesë shtypja e opozitës nga diktatori Moammar Gadhafi. Forcat libiane të sigurisë arrestojnë njerëz në mënyrë arbitrare dhe i torturojnë ata. Të burgosurit politikë mbahen për vite të tëra në burg, pa iu shpallur akuza. Libianët nuk kanë të drejtën të jenë të sigurt si persona as brenda shtëpive të tyre, apo të kenë pronë private. Qeveria libiane e kufizon të drejtën e fjalës, të shtypit, tëtubimit, të organizimit në shoqata dhe të fesë.

Përveç kësaj, Libia është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara, sepse nuk ka përmbushur ende kushtet e vendosura si rezultat i pjesëmarrjes në sulmin me bombë ndaj një avioni të shoqërisë amerikane Pan Am në vitin 1988. 270 veta vdiqën si pasojë e atij akti të terrorizmit libian. Siç ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Richard Boucher ”Ne nuk mund ta shpërblejmë një sjellje të tillë të tmerrshme me një post drejtues, që në këtë rast është në organizmin kryesor ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”.

Disa kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara për të përmbushur mandatin e tij për t’u përballur me dhunuesit e të drejtave të njeriut kudo në botë dhe për të garantuar respektimin e parimeve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Vetë disa nga anëtarët e komisionit, numri i të cilëve është i konsiderueshëm, shkelin të drejtat e njeriut. Përveç Libisë, mes tyre janë Kina, Kuba, Sudani, Siria, Vietnami dhe Zimbabveja. Është e qartë se vënia e njërit prej vendeve që bëjnë këto shkelje, në krye të këtij organizmi do të ngjallë pikëpyetje serioze lidhur me komisionin.//kk//

XS
SM
MD
LG