Lidhje

Saddam Hussein: SHBA do të kryenin vetvrasje në se përpiqen të pushtojnë Bagdatin - 2003-01-17


Presidenti irakian Saddam Hussein tha se Shtetet e Bashkuara do të kryenin vetvrasje në se përpiqen të pushtojnë Bagdatin. Në një fjalim me rastin e përvjetorit të luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, presidenti Saddam tha se Iraku është i vendosur të mposht çdo agresor.

Sot në Paris presidenti francez Jaques Chirac u takua me krye-inspektorin e Kombeve të Bashkuara për armët Hans Blix dhe shefin e agjencisë për vëzhgimin e armëve bërthamore Muhamed El-Baradei. Zoti Chirac tha se këshilli i sigurimit i OKB-së duhet të bjerë dakort për çdo veprim ushtarak kundër Irakut.

Inspektorët e armëve thanë se kanë nevojë për më shumë personel për të bërë punën e tyre, por ata gjithashtu i bënë thirrje Bagdatit të japë dëshmi për shkatërrimin e armëve të tij të ndaluara.

Ndërkohë, njoftohet se Arabia Saudite po përpiqet të shmangë luftën në Irak, duke inkurajuar ushtrinë irakiane të përmbysë nga pushteti Sadam Huseinin në shkëmbim të amnestisë për të gjithë gjeneralët me përjashtim të zyrtarëve më të lartë të ushtrisë.

Revista e përjavshme amerikane Time citon ato që cilësohen si burime në pozita të mira që thonë se Rijadi po zbaton me vrull një plan për të bindur gjeneralë irakianë që të kryejnë një grusht shteti kundër presidentit irakian.

Ndërkaq, e përjavshmja gjermane Der Spiegel njofton se Iraku po kërkon garanci që do të bënin të mundur daljen në mërgim të Sadam Huseinit dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë, ndoshta në një vend afrikan.

//ze//

XS
SM
MD
LG