Lidhje

Qeveria iraniane mbylli dy gazetat kryesore reformiste - 2003-01-17


Në Iran vazhdon beteja midis islamikëve konservatorë dhe reformatorëve politikë. Në një përpjekje për të heshtur disidentët, qeveria iraniane mbylli dy gazetat kryesore reformiste. Gjykata e Posaçme Klerike urdhëroi mbylljen e gazetës së përditshme Hayat-e-Nou sepse kishte botuar një karikaturë 65 vjeçare që sipas tyre fyente Aytollah Ruhollah Khomeinin, udhëheqësi i parë shpirtëror i revolucionit islamik eksteremist në Iran. Gjykata kërkoi që redaktori i gazetës dhe kleriku Hadi Khamenei të paraqitet në gjyq për të dëgjuar akuzat të pa përcaktuara. Gjithashtu gjykata urdhëroi ndjekjen penale të të gjithë individëve që ishin përfshirë në botimin e karikaturës. Po ashtu qeveria mbylli të përditshmen reformiste, Bahar, me pretendimin se kishte fyer autoritetet.

Mbas zgjedhjes së presidentit Mohammad Khatami në vitin 1997, shtypi i pavarur filloi të shërbente si një forum për diskutimin e reformave në shoqërinë iraniane. Por liria e shprehjes në Iran nuk gëzon mbrojtje dhe shtypi i pavarur ka qenë objekt i një shtypjeje në rritje. Që nga viti 2000, kur regjimi iranian mbylli me të shpejtë 14 prej gazetave më të njohura pro reformave, janë mbyllur mbi 80 gazeta, shpesh pa proces gjyqësor. Regjimi klerik iranian e sheh debatin publik mbi politikat si një kërcënim për ruajtjen e pushtetit.

Në bazë të një ligji të vitit 1995 mbi shtypin, është e paligjshme të fyesh islamin, të kritikosh Aytollah Khomeinin, apo të përkrahësh pikëpamjet e klerikëve disidentë. Për rrjedhim zyrtarët qeveritarë shpesh shkruajnë ankesa kundër gazetarëve, redaktorëve dhe botuesve. Shkrimtarët ofendues përballen me procese gjyqësore dhe gjoba. Heqja e të drejtës së gazetarisë dhe burgosja pa gjyq janë të zakonshme. Policia bastis zyrat e gazetave dhe banda gangsetrësh të njohur si Ndimësat e Partisë së Zotit sulmojnë zyrat e botimeve liberale dhe libraritë.

Gjithashtu qeveria iranian kontrollon të gjitha programet televizive dhe të radios. Këto programe pasqyrojnë vetëm pikëpamjet e qeverisë. Meqënëse gazetat dhe forma të tjera të shtypit kanë tirazh të kufizuar jashtë qyteteve të mëdha, për shumë iranianë radio dhe televizioni shërbejnë si burimi kryesor i informacionit.

Sundimi i klerikëve radikalë islamikë ka penguar progresin politik dhe ekonomik të Iranit për mëse 20 vjet. Siç ka thënë presidenti Bush ”ne vazhdojmë të qëndrojmë krah popullit iranian në përpjekjet e tyre për liri, begati, për një qeveri të ndershme dhe të efektshme, proces të drejtë ligjor dhe shtet ligjor. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë së Iranit që të respektojë dëshirën e popullit të tij dhe t’i shërbejë popullit.”

//rd//

XS
SM
MD
LG