Lidhje

Intervistë me analistin Damjan Krnjeviç Miskoviç - 2003-01-17


Kryeminsitri i serbisë Zoran Xhinxhiç akuzoi UNMIK-un se po ndihmon Kosovën për t’u bërë një shtet i pavarur. Zoti Xhinxhiç kërkoi këto ditë hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Damjan Krnjevic-Miskovic, zëvendës-kryeredaktor i revistës National Interest, që del këtu në Shtetet e Bashkuara, thotë se bisedimet me Beogradin duhet të hapen fillimisht për çështje teknike që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve në Kosovë VOA: Kohët e fundit ju ishit në Kosovë ku u takuat me drejtues të komunitetit serb. Si është gjendja, e kam fjalën për marrëdhëniet midis komunitetit të shqiptarëve dhe serbëve. A ekziston më e njëjta ndjenjë mosbesimi si më parë apo vihen re përparime?

DK: Nuk u takova vetëm me udhëheqës serbë por edhe me drejtues të UNMIK-ut dhe politikanë shqiptarë. Në përgjithësi niveli i besimit është pak më i lartë, por në vetvete kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi niveli i mosbesimit në 100 vjetet e fundit ka qënë kaq i lartë mes të dy palëve sa që të flasësh tani për një ngritje të besimit, për fat të keq nuk është e mjaftueshme për të thënë se është arritur përparim serioz.

VOA: Shqiptarët i kritikojnë serbët në Kosovë se ata e shikojnë lidhjen e tyre me Kosovën përmes Beogradit, se marrin urdhëra nga Beogradi. Nga ana tjetër serbët thonë se shqiptarët kur flasin që serbët të kthehen në Kosovë nuk e kanë me sinqeritet një premtim të tillë. Pra në kushte të tilla mosbesimi të madh mes dy komuniteteve si mendoni se mund të afrohen shqiptarët dhe serbët me njëri-tjetrin që të bashkëjetojnë në Kosovë?

DK: Problemi i mungesës së sinqeritetit nga shqiptarët nuk është ngritur vetëm nga serbët, por edhe UNMIK-u e ka kuptuar se ky është një problem. Në fund të vitit presidenti Rugova tha në një intervistë se është kundër kthimit në masë të serbëve, pasi sipas tij kjo mund të çonte në destabilizim. Mund të çojë në destabilizim, por detyra e tij si president i Kosovës është të marrë masa që kjo mos të ndodhë. Deklarata të tilla lënë të kuptohet se ai nuk është president i gjithë banorëve të Kosovës. Ky është një mesazh shumë i gabuar që u dërgohet serbëve. Nga ana tjetër serbët, nuk do të thoja që marrin urdhëra nga Beogradi, por pa dyshim që ka një bashkëpunim të madh mes tyre e Beogradit dhe kjo është e kuptueshme nga këndveshtrimi serb, por po ashtu nga këndvështrimi i ligjit ndërkombëtar dhe rezoluta 12-44, pasi Kosova është brenda Jugosllavisë me një të drejtë të madhe vetë-qeverisjeje. Pra është më se e normale që serbët në Kosovë që e ndjejnë veten se nuk janë të mirëpritur atje, të shohin për udhëheqje nga Beogradi. Mes serbëve në Kosovë ka elementë që mbajnë një qëndrim më të ashpër se Beogradi dhe mua më duket se ky është një shkëmbim i vlefshëm idesh me Beogradin, në të njejten mënyrë si shkëmbejnë ide partitë politike shqiptare me njera tjetrën në Kosovë.

VOA: Serbët në Kosovë duken se ende nuk e kanë pranuar fajin për vitet e regjimit të Milosheviçit për ato që i kanë ndodhur Kosovës. A janë ata vetë të shqetësuar nga një gjë e tillë? A e diskutojnë ata ndonjëherë një gjë të tillë?

DK: Sinqerisht kjo temë hapet më shpesh në bisedat e tyre se sa ç’mund të hapet mes shqiptarëve tema e krimeve të UÇK-së kundër serbëve. Kjo do të thotë se të dyja palët kanë shumë për të bërë. Por edhe në se serbët nuk bëjnë një përpjekje serioze për t’u ballafaquar me trashëgiminë e Millosheviçit në Kosovë, gjë që ata duhet ta bëjnë dhe sa më shpejt aq më mirë, ajo nuk mund të shërbejë si arësye që serbët të mos jenë të mirëpritur në Kosovë. As kriminelit nuk i merren pronat. Gruaja dhe fëmijët e tij nuk kanë bërë gjë. Pra të paraqesësh këtë si argument, se disa serbë morrën pjesë në ngjarjet e viteve ’90 nuk do të thotë që ata nuk duhet të gëzojnë të drejtën të luajnë një rol të ligjshëm për të ardhmen e Kosovës, cilado qoftë e ardhmja e saj. Në të njejtën kohë në Prishtinë dhe në Kosovë nuk është folur sa duhet për rolin e UÇK-së, dhe se ç’duhet bërë me TMK-në një institucon që mund të kthehet në problem në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme që të fillojë një dialog me Beogradin për këto çështje teknike, për të ecur përpara. Për t’i dhënë fund vrasjeve ndaj njeri tjetrit që ka vazhduar për një kohë teper të gjatë.

VOA: A janë serbët në Kosovë të angazhuar për të jetuar në një Kosovë në të ardhmen pa patur rëndësi se çfarë përfundimi, çfarë statusi do të ketë Kosova, pra në një Kosovë ku shumicën do e përbëjnë shqiptarët.

DK: Shpresoj që serbët të jenë të gatshëm të jetojnë në Kosovë ashtu siç shpresoj që shqiptarët të vazhdojnë të jetojnë në Preshevë e Bujanoc. Argumenti se këto komunitete nuk mund të jetojnë së bashku dhe se spastrimi etnik është një kusht për zhvillimin, është një argument i epokës së mesjetës. Shpresoj që në Kosovë të kthehen mjaft serbë sa që ata të përbëjnë një komunitet të qënësishëm. Dhe kjo do të ishte edhe në interes të vetë shqiptarëve, pasi në se Kosova bëhet një shtet një-etnik kjo do të binte ndesh me rrjedhat e historisë dhe do të binte ndesh me synimet e udhëheqësve shqiptarë për ta integruar Kosovën në Evropë. Në Evropë nuk mund të hyhet me spastrime etnike. Duhet pranuar fakti se pakicat kanë të drejta qoftë si grup apo si individë, të kenë liri lëvizje, siguri pra gjithë ato standarte për të cilat flet adminstratri Steiner. Arësyeja që ata flasin për standarte përpara statusit nuk bëhet për të ndëshkuar shqiptarët, nuk bëhet se ata janë anti-shqiptarë, por sepse pa u krijuar disa themele të shëndosha e të drejta për qeverisje, në vend do të mbizotëronte anarkia.

VOA: Cili është mendimi juaj për të ardhmen e Kosovës. Janë hedhur shumë teori; pavarësia që kërkojnë shqiptarët, ndarja e mundshme e Kosovës në formë konfederate me Serbinë, ndoshta më pak e mundur. Si e shikoni ju të ardhmen e Kosovës?

DK: Është një pyetje e vështirë. Së pasi dua të them se këto janë mendimet e mia personale. Nuk mund të imagjinoj për asnjë moment se Kosova do të qeveriset nga Beogradi si më parë. Në se kjo do të thotë që përfundimi do të jetë pavarësi, apo jo, Zoti e di, ndoshta as Zoti nuk e di. Politikanët shqiptarë në Prishtinë duhet ta kuptojnë se Beogradi ka dy interesa jetike në Kosovë: mbrojtja e të drejtave të serbëve, siguria e tyre personale, pronat e tyre dhe përparimi ekonomik. Në se këto nuk realizohen Beogradi mund të refuzojë të hapë bisedime për statusin përfundimtar. E dyta, ndoshta edhe më e rëndësishme, statusi i veçantë për trashëgiminë e serbëve në Kosovë, e kam fjalën për manastiret dhe kishat mesjetare, që serbët i konsiderojnë si Jeruzalemin e tyre. Në se kjo është e vërtetë apo jo, pak rëndësi ka. Për mua është e vërtetë. Por ajo që ka rëndësi është mënyra si serbët i konsiderojnë ato, gjë që nuk ka për të ndryshuar. Dhe përsa kohë që Prishtina nuk e njeh këtë kërkesë legjitme të serbëve, do të ketë probleme. Por a do të arrijnë shqiptarët e serbët të jetojnë së bashku? Shpresoj që po. Ka qënë shumë e vështirë në të kaluarën. Nuk mbaj mend ndonjë rast në histori kur këto dy popullsi të kenë qënë të integruara. Por në se kjo tokë ujitet si duhet mund të ndodhë. Në se nuk ndodh, për një gjë jam i sigurtë se Evropa nuk do ta shohë me sy të mirë Prishtinën. Do ishte një situatë fatkeqe për të gjithë.

//rd//

XS
SM
MD
LG