Lidhje

SHBA-Shqipëri: marrëveshje për energjinë - 2003-01-17


Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike të Shqipërisë dhe Komisioni Regullator i Shërbimeve Komunale të shtetit amerikan Indiana nënshkruan të premten në Washington një marrëveshje mirëkuptimi, e cila ka për qëllim krijimin e një partneriteti për ta ndihmuar Shqipërinë në ristrukturimin dhe reformimin e sektorit të saj energjetik. Marrëveshja përfshin projekte që do ta ndihmojnë Shqipërinë të kapëcejë problemet e energjetikës nëpërmjet liberalizimit të tregjeve dhe futjes në vend të investitorëve.

Marrëveshja, e cila financohet nga Agjencia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, Usajdi, dhe zbatohet nga Komisioni kombëtar amerikan për shërbimet komunale do të ndihmojë në krijimin e marrëdhënieve midis Komisionit të shtetit Indiana dhe palës shqiptare, marrëdhënie këto që filluan vitin e kaluar kur një delegacion amerikan shkoi në Tiranë.

Përfaqësuesi i Usajdit në ceremoninë e djeshme, Robert Ichord, shef i Divizionit të Energjetikës dhe Infrastrukturës për degën që mbulon Evropën dhe Euroazinë, e cilësoi marrëveshjen si një hap, që do ta ndihmojë Shqipërinë në disa drejtime.

“Ky bashkëpunim shqiptaro-amerikan është i rëndësishëm për ti bërë të mundur Shqipërisë që të krijojë dhe të zbatojë një politikë kombëtare energjetike dhe një plan strategjik si dhe në përqëndrimin e përpjekjeve në mbështetjen e reformave më të gjithanshme në këtë sektor. Kjo marrëveshje nuk është përparësi për Shqipërinë vetëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, por përbën edhe një lidhje kyçe në nismat e reja në tregun e energjisë elektrike, që po zbatohen në Evropën jug-lindore.”

Kryetari i delegacionit shqiptar, Engjëll Çuçi, i cili nënshkroi marrëveshjen për palën shqiptare, e cilësoi marrëveshjen si një ndihmesë të madhe për kapërcimin e vështirësive të Shqipërisë në sektorin e energjisë elektrike.

Ceremoninë e nënshkrimit e kryesoi ambasadori i Shqipërisë në Washington, Dr. Fatos Tarifa, i cili shërbeu edhe si dëshmitar i nënshkrimit të marrëveshjes. Në fjalën e rastit, ambasadori Tarifa shprehu falenderimin e qeverisë shqiptare për ndihmën amerikane:

“Dua të shpreh mirënjohjen e palës shqiptare për ndihmën që Usajdi i ka dhënë Shqipërisë, veçanërisht për marrëveshjen që ne jemi mbledhur të nënshkruajmë sot. Zhvillimi i sektorit të energjetikës është një objektiv kyç i qeverisë shqiptare dhe ndihma amerikane në këtë drejtim është shumë fitimprurëse dhe një shenjë tjetër e marrëdhënieve shumë të mira shqiptaro-amerikane.”

Marrëveshja e Mirëkuptimit, është pjesë e mbështetjes së Usajdit për reformat e Shqipërisë në sektorin e energjetikës si një përparësi kyçe e strategjisë së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për zhvillimin e një tregu rajonal në Evropën jug-lindore./ii

XS
SM
MD
LG