Lidhje

SHBA:  Fillimi i diskutimeve për statusin përfundimtar të Kosovës është i parakohshëm - 2003-01-18


Departamenti i Shtetit thotë se në Kosovë janë bërë përparime të dukshme për t’i dhënë asaj një autonomi të zgjeruar, siç parashikohet në një rezolutë kyçe të OKB-së, e cila në mënyrë të efektshme çoi në përfundimin e konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Por në të njëjtën kohë, Departamenti i Shtetit thotë se është ende shpejt të fillojnë diskutimet për një status përfundimtar, siç u propozua dje nga zoti Xhinxhiç.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e qershorit të vitit 1999 parashikonte krijimin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ndërsa riafirmoi sovranitetin e Jugosllavisë mbi rajonin, rezoluta nuk përcaktoi afate për ri-integrimin e Kosovës me pjesën tjetër të vendit.

Në një konference për shtyp, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për kushtet e parashtruara në rezolutë, e cila bën thirrje për “autonominë e zgjeruar dhe vet-qeverisjen” e Kosovës. Zoti Boucher tha se tani nuk është koha për të filluar bisedime mbi statusin e saj përfundimtar.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së, Micael Steiner, ka përcaktuar standarde për t’u arritur para se të fillojnë bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës, siç parashikohet në rezolutën 1244. Ne e mbështesim këtë politikë. Qendrimi ynë nuk ka ndryshuar. Mendojmë se nuk ka ardhur koha për ta filluar këtë proces. Do të doja të vija në dukje përparimet që Kosova dhe populli i saj kanë bërë drejt krijimit të një demokracie shumë etnike. Por ende mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rikthimit të refugjatëve dhe personave të shpërngulur, garantimit të sigurisë dhe qarkullimit të lirë të pakicave, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe për zhvillimin e një sistemi vet qeverisës të efektshëm, tha zoti Boucher.”

Në vitin 1999 NATO-ja bombardoi objekte të caktuara në Kosovë dhe në Serbi për t’i dhënë fund shtypjes nga forcat sërbe të sigurimit të shumicës shqiptare në Kosovë, që në pjesën më të madhe përkrahte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Rezoluta 1224 kërkoi tërheqjen e forcave serbe dhe çarmatosjen e UÇK-së dhe të grupeve të tjera shqiptare, si dhe ngarkoi paqeruajtësit e OKB-së dhe policinë ndërkombëtare me ruajtjen e sigurisë së Kosovës.//ic//

XS
SM
MD
LG