Lidhje

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për çarmatimin e Irakut - 2003-01-21


Presidenti Bush tha se duket qartë se Iraku nuk po çarmatoset dhe ai po jep përshypjen e fortë se një sulm i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mund të jetë rruga e vetme për të siguruar çarmatosjen e Irakut. Këto komente presidenti i bëri pavarësisht nga mendimi i disa prej anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, sidomos Francës, si dhe i inspektorëve të armëve, se për marrjen e një vendimi për përdorimin e forcës duhet më shumë kohë, dhe ndoshta muaj.

Presidenti Bush nuk është shprehur nëse tani ka vendosur se lufta kundër Irakut është e vetmja mënyrë për të siguruar çarmatosjen. Por duke gjykuar nga disa prej komenteve më të forta që ka bërë mbi këtë çështje, ai u dha gazetarëve dje përshtypjen se shanset për përdorimin e ndonjë rruge tjetër po zvogëlohen me shpejtësi.

“Ne do të udhëheqim një koalicion kombesh për ta çarmatosur atë. Ju siguroj se ai do të çarmatoset. Unë do ju njoftoj se kur do të vijë ky moment, tha presidenti Bush.”

Duke iu referuar presidentit irakian, Sadam Husein, presidenti Bush dukej se po i përgjigjej paralajmërimit të hapur të Francës se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë prova të mjaftueshme që të justifikojnë një operacion ushtarak kundër Irakut.

“Miqtë tanë kanë mësuar nga e kaluara. Sigurisht ne kemi mësuar se si ky njeri mashtron dhe pengon. Siç thanë edhe shumë prej këshilltarëve të mi këtë javë në televizion, për Irakun koha nuk pret më.”

Por ministri i jashtëm francez, Dominique de Villepin, duke i bërë jehonë pikëpamjeve të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, Rusisë dhe Kinës, tha se ai nuk sheh ndonjë arsye për të mos u dhënë më shumë kohë inspektorëve të armëve të OKBs, dëshirë kjo e shprehur gjithashtu nga kreu i agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore, Mohamed el-Baradei.

Tashmë që Iraku ka premtuar për një bashkëpunim më të madh, ai dhe kryeinspektori i armëve, Hans Blix, u larguan nga Bagdadi duke thënë se dokumentat që kanë marrë nga qeveria irakiane dështojnë të paraqesin një inventar të plotë të armëve të tij të shkatërrimit në masë.

“Mendoj se raporti nuk u përgjigjet shumë pyetjeve që vazhdojnë të qëndrojnë ende të hapura nga e kaluara.”

Javën që vjen, zoti Blix do ti paraqesë Këshillit të Sigurimit një raport tepër të rëndësishëm me përfundime të hollësishme. Ky raport do të vijohet mbas pak ditësh nga një takim, që mund të jetë vendimtar, midis presidentit Bush dhe kryeministrit britanik, Tony Blair. Ky takim do të zhvillohet ndërkohë që të dy vendet vazhdojnë të përqëndrojnë trupat e tyre në gjirin Persik në përgatitje për një pushtim të mundshëm të Irakut, diçka që sipas nën sekretarit amerikan të shtetit, Richard Armitage, mund të jetë e pashmangshme.

“Ne thuajse i kemi konsumuar tashmë të gjitha mundësitë e tjera.”

Duke shtuar notat e pesimismit mbi shpresën se lufta mund të shmanget, ai bëri të njohur një raport me fakte mbi mënyrat se si Iraku ka mashtruar vazhdimisht inspektorët e armëve.

”Këtij regjimi nuk i ka mbetur edhe shumë kohë për të korigjuar praktikat e 12 vjetëve. Ky regjim nuk po jep asnjë shenjë se synon të përmbushë plotësisht kushtet e rezolutës 14-41, ashtu siç ka dështuar të përmbushë të 16 rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKBs.”

Megjithatë, vendet fqinje të Irakut vazhdojnë të ushqejnë shpresën se lufta me Irakun nuk është e pashmangshme. Turqia po përgatitet të organizojë këtë javë një takim midis ministrave të jashtëm të vendeve arabe në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore të gjendjes në Irak, ndoshta duke bindur Sadam Huseinin që të largohet nga pushtetit, diçka që sipas këshilltarëve të ngushtë të udhëheqësit irakian nuk do të pranohet kurrë prej tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG