Lidhje

SHBA:  Lufta kundër terrorizmit nuk justifikon shkeljen e të drejtave të njeriut - 2003-01-24


Lorne Craner është dëshmitar i pasojave të terrorizmit. Ai është ndihmës sekretari amerikan i shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe punën. Më 11 shtator 2001, ai pa nga dritarja e zyrës së tij teksa digjej Pentagoni. Pentagoni, së bashku me Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, u sulmuan nga terroristët e al-Qaidës. Mr. Craner thotë se “është e vështirë të shprehesh ndikimin e thellë psikologjik që këto sulme dhe vdekja e rreth 3000 vetave, nga mëse 90 vende të botës, patën mbi mënyrën e të menduarit të popullit amerikan”.

Mbas sulmeve, amerikanët donin që të merrnin masa të ashpra për të dënuar dhe parandaluar terrorizmin. Madje disa thanë se do të ishte e justifikueshme për qeverinë që në luftën kundër terrorizmit të kufizonte ose të mos përfillte të drejtat e njeriut. Fatmirësisht, shumica e amerikanëve e kuptuan se kjo do të ishte e gabuar.

Përkundrazi, thotë zoti Craner, siguria dhe respekti për të drejtat e njeriut mbështesin njëra-tjetrën. Shumë nga burimet që shkaktojnë terrorizmin, si mungesa e shpresës, dëshpërimi, ndjenja e viktimizimit dhe padrejtësia, apo dëshira për hakmarrje, gjenden në njerëz të përbuzur, të cilët shtypen nga qeveritë e tyre dhe nuk lejohen të jetojnë me dinjitet. Fanatikët dhe ekstremistët i manipulojnë ndjenja të tilla për qëllimet e tyre të urryera, dhe kështu krijohet një rreth vicioz ku shtypja ushqen terrorizmin dhe terrorrizmi sjell më shumë shtypje.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do ta pranojnë përdorimin e kundërterrorizmit si një justifikim për të shtypur shprehjet paqësore të pikëpamjeve politike dhe fetare. Shtetet e Bashkuara do t’i luftojnë terroristët kudo që janë. Kjo u duk qartë në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara nuk vepruan kundër popullatës në përgjithësi, por vunë në shënjestër terroristët dhe talebanët që i mbështesnin ata. Gjatë këtij procesi, vë në dukje zoti Craner, Shtetet e Bashkaura çliruan miliona muslimanë afganë nga shtypja.”

Zoti Craner foli para universitetit Xinjiang në Kinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë dënuar Lëvizjen Islamike të Turkistanit Lindor, një grup terrorist në Xinjiang që ka lidhje me rrjetin terrorist të al-Qaidës. Por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë bindjen se Kina duhet të lirojë njerëz si Rebiyah Kadeer, i cili është burgosur thjesht për qëllime politike.

Siç ka thënë ndihmës sekretari i shtetit, Craner, “asgjë nuk e justifikon terrorizmin, pavarësisht nga kauza. Ndërsa terrorizmi nuk mund të jetë kurrë një përgjigje legjitime ndaj vuajtjeve, ashtuedhe lufta kundër terrorizmit nuk mund të jetë asnjëherë një arsye e ligjshme për të shkelur të drejtat e njeriut”.//ic//

XS
SM
MD
LG