Lidhje

FMN vendos ta shtyjë diskutimin e cështjeve ekonomike të Shqipërisë - 2003-01-24


Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar vendosi ta shtyjë diskutimin e cështjeve ekonomike të Shqipërisë i parashikuar për në 29 janar të këtij viti.

Shefi i misionit të Fondit Monetar për Shqipërinë në Uashington, Hossein Samiei i tha Zërit të Amerikës se ky vendim u mor për shkak se një nga kërkesat kryesore të programit nuk është realizuar në kohën e duhur.

Bëhet fjalë për mos miratimin në parlament të ligjit për mbylljen e dyqaneve pa taksë, ose Duty Free Shop, në pikat tokësore të kalimit kufitar. Këto dyqane janë identifikuar si një nga rrugët përmes së cilave zhvillohet kontrabanda dhe shmangia fiskale. Kundër mbylljes së tyre kishte këmbëngulur opozita sipas së cilës këto dyqane janë simbole të ekonomisë së lirë të tregut.

Opozita kishte kërkuar nga qeveria të merrte masa për të frenuar kontrabandën. Partia demokratike vendosi të ndryshojë qëndrim për këtë cështje vetëm pas një takimi të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha me përfaqësuesit e FMN-së. Deputetët e kësaj partie kanë premtuar se do të votojnë tashmë për mbylljen e tyre.

Zyrtari i Fondit Monetar, Hossein Samiei, tha se programi i FMN-së nuk është anuluar, por Fondi Monetar po pret që Shqipëria të plotësojë kërkesat. Ai i tha Zërit të Amerikës se nëse parlamenti e miraton ligjin për mbylljen e dyqaneve Duty Free, atëhere Bordi i Guvernatorëve ka shumë mundësi që të mblidhet në gjysmën e dytë të muajit shkurt për të diskutuar mbi programin për Shqipërinë.

//ze//

XS
SM
MD
LG