Lidhje

Kalendari Historik 30 janar - 2003-01-24


Më 30 janar 1815 Kongresi i Shteteve të Bashkuara bleu bibliotekën personale të ish-presidentit Thomas Jefferson. Rreth 6 mijë e 500 vëllimet e bibliotekës së zotit Jefferson i kaluan Bibliotekës së Kongresit, e cila ishte shkatërruar kur ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Kapitoli, u dogj nga trupat britanike, gjatë luftës së vitit 1812. Koleksioni që u dogj, ishte kryesisht i një natyre parlamentare. Biblioteka e zotit Jefferson ishte klasike dhe përmbante libra mbi arkitekturën, historinë, filozofinë dhe shkencën. Blerja e bibliotekës së ish-presidentit Jefferson, e cila në atë kohë konsiderohej si një nga koleksionet më të zgjedhura personale në Shtetet e Bashkuara, ndryshoi përgjithmonë natyrën e Bibliotekës së Kongresit. Në ditët tona ajo është bërë një nga bibliotekat më të pasura në botë. Sot Biblioteka e Kongresit ka miliona libra, kaseta, videokaseta, fotografi dhe filma.

Më 30 janar 1933 një radiostacion në qytetin Detroit, të shtetit Michigan, transmetoi episodin e parë të serialit me aventura The Lone Ranger, Kalorësi i Vetmuar. Personazhi kryesor i serialit do të bëhej më vonë një hero popullor amerikan. Kalorësi i Vetmuar, i cili mbante një maskë për të mbrojtur identitetin e tij, endej më kalë nëpër shtigjet e kufirit perëndimor, duke kapur dhe duke u dorëzuar organeve të drejtësisë banditët dhe keqbërësit. Ai kishte një kalë të bardhë të quajtur Silver dhe shoqërohej nga miku i tij besnik indian, Tonto. Programi radiofonik Kalorësi i Vetmuar, u bë aq popullor në Detroit, saqë filloi të transmetohet nga një rrjet i tërë stacionesh radiofonike. Pa kaluar shumë kohë të rinjt në gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara, mund ta dëgjonin atë tri herë në javë. Kalorësi i Vetmuar u bë heroi ideal i rinisë amerikane. Ai ishte një luftëtar i ndershëm. Ai nuk sulmonte kurrë nga mbrapa dhe qëllonte vetëm për t’i çarmatosur dhe jo për t’i vrarë, kriminelët. Programi radiofonik ishte i mbushur me ngjarje, me situata të tensionuara dhe me fitoren e së mirës mbi të keqen. Personazhi kryesor i serialit Kalorësi i Vetmuar është luajtur nga mjaft aktorë, në radio dhe më vonë në filma dhe në serialë televizivë. Më i njohuri prej tyre ndoshta ka qenë Clayton Moore, i cili luajti rolin e heroit të maskuar si në filma televizivë edhe në filma kinematografikë.//kk//

XS
SM
MD
LG