Lidhje

Ligjvënës amerikanë i bëjnë thirrje Presidentit ta peshojë mirë ndërhyrjen në Irak - 2003-01-25


Shumica e 122 ligjvënësve që nënshkruan letrën janë demokratë, duke përfshirë edhe disa nga kritikët më të ashpër të qendrimit të administratës ndaj Irakut. Por vetë letra është shkruar nga dy prej demokratëve më të moderuar në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmenit Sherrod Brown, nga Ohio, dhe Ron Kind nga Wisconsin.

Ata mbajtën qendrime të ndryshme mbi rezolutën e miratuar njerëri nga Kongresi në fund të vitit të kaluar, duke e autorizuar presidentin të përdorë forcën në qoftë se është e nevojshme. Zoti Kind votoi në favor të rezolutës, ndëra zoti Brown kundër saj. Megjithatë, të dy besojnë se administrata e Presidentit Bush duhet të lejojë më shumë kohë për procesin e inspektimit. Kongresmeni Brown foli me gazetarët gjatë një konference telefonike shtypi.

"Njerëzit e kuprojnë se lufta duhet të jetë gjithnjë varianti i fundit i zgjidhjes, ajo nuk duhet të ndërmeret për burime të ndryshme, në fazën e tanishme ajo nuk duhet të ndërmerret për asnjë motiv tjetër veç të dhënave të qarta dhe bindëse për kërcënimet që vinë nga armët e shkatërrimit në masë".

Ligjvënësit i bëjnë thirrje Presidentit Bush, që siç shprehen ata, t’i “peshojë mirë” vendimet në të ardhmen lidhur me Irakun, bazuar në raportin që do t’i paraqesë të hënën Këshillit të Sigurimit, ekipi i inspektorëve të OKB-së, i kryesuar nga Hans Bix.

Kongresmeni Ron Kind tha se administrata duhet të vazhdojë të jetë e angazhuar që të punojë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, Ai tha se zoti Bush ende nuk ka shpjeguar në mënyrë bindëse nevojën e veprimeve ushtarake.

"Në çdo demokraci, vendimi për të hyrë në luftë nuk duhet të jetë i debatueshëm. Ai duhet të jetë i dukshëm, i domosdoshëm, të shikohet si i drejtë nga populli amerikan, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar".

Ditët e fundit, administrata ka sinjalizuar vendosmërinë e saj për të ndërhyrë ushtarakisht që të garantojë çarmatimin e Irakut, edhe pse aleatët e saj si Franca, Gjermania dhe Rusia janë kundër.

Kongresmenët Brown dhe Kind i vunë theksin një ankete të kohëve të fundit të opinionit, sipas të cilës 70 përqind e amerikanëve duan që procesit të inspektimit t’i jepet më shumë kohë. Ata thonë se shpresojnë që thirrja e tyre drejtuar presidentit do ta bindë atë që ta shpjegojë shumë më qartë domosdoshmërinë për të ndërhyrë në Irak, dhe ta bëjë këtë në fjalimin vjetor drejtuar vendit.//ic//

XS
SM
MD
LG