Lidhje

Fjalimi i presidentit Bush mbi gjendjen e vendit do të përqëndrohet tek Iraku dhe ekonomia amerikane - 2003-01-27


Presidenti Bush po bën përgatitjet e fundit për fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit që do të mbajë nesër dhe që sipas këshilltarëve të tij, do të përqëndrohet tek Iraku dhe mënyrat për t’i dhënë shtytje ekonomisë amerikane.

Drejtori për komunikimin në Shtëpinë e Bardhë, Dan Bartlett, tha se në fjalimin e tij, presidenti Bush do të theksojë se kriza në Gjirin Persik është në fazën e fundit diplomatike dhe se mundësia e luftës është shumë reale.

Ndihmësit e presidentit thonë se ai do të flasë për lidhjet e Irakut me organizatat terroriste dhe arsenalin e tij të mbushjeve dhe lëndëve të rrezikshme helmuese që mund të bien në duart e terroristëve dhe të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara e sigurinë botërore.

Një anketë e fundit e opinionit publik tregon se shumica e amerikanëve nuk duan që Shtetet e Bashkuara të hyjnë në luftë me Irakun pa mbështetjen e aleatëve dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se në fjalimin e tij, presidenti Bush do të flasë edhe për shqetësimet e brendshme, veçanërisht çështjet ekonomike. Pritet që ai të bëjë thirrje për mbështetjen e propozimeve për shkurtime taksash që janë pjesë e planit të tij 10 vjeçar prej 674 miliardë dollarësh për të stimuluar ekonominë. Presidenti gjithashtu do të flasë për nevojën e reformave në shërbimin shëndetësor.

//rd//

XS
SM
MD
LG