Lidhje

Serwer: Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë në Kosovë derisa të zgjidhet e ardhmja e saj - 2003-01-31


Drejtori i Studimeve për Ballkanin, në Institutin Amerikan të Paqes, Daniel Serwer thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë, derisa të merret vendimi për statusin e saj përfundimtar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Serwer tha respektimi i të drejtave të serbëve dhe pakicave të tjera, është vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Ai foli gjithashtu edhe për gjendjen e rëndë të krimit të organizuar në Ballkan.

KK: Zoti Serwer, dje parlamenti i Serbisë miratoi projekt-kushtetutën për një bashkim më të lirshëm, mes Serbisë dhe Malit të Zi. A mendoni se do të jetë e qëndrueshme një marrëveshje e tillë dhe a është e pashmangshme pavarësia e Malit të Zi?

DS: Nuk e di se sa e qëndrueshme është kjo marrëveshje. Do të ishte njëlloj sikur të parashikoje se ç’do të ndodhë nëse një çift që është ndarë për disa vjet, përpiqet të pajtohet, të jetojë prapë në të njëjtën shtëpi. Ku i dihet a do t’ia dalin? U takon atyre ta vendosin dhe duhet të shohim se ç’do të ndodhë gjatë tre vjetëve të ardhshme. Unë mendoj se marrëveshja e Serbisë dhe Malit të Zi është e pazakontë, dhe paraqet shumë vështirësi, por besoj se gjithkujt do t’i duhet të presë për të parë nëse do të funksionojë praktikisht. Nuk e di a është e pashmangshme pavarësia e Malit të Zi. Kjo do të varet nga fakti se si do të funksionojë kjo marrëveshje. E rëndësishme është që paqësisht dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian, u arrit një marrëveshje.

KK: Si një vëzhgues i çështjeve të Ballkanit në përgjithësi dhe në veçanti i marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, a mendoni se këto komunitete do të jenë në gjendje t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre vetë, apo do t’i duhet komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë për t’i zgjidhur ato?

DS: Nuk besoj se do të jenë në gjendje t’i zgjidhin ato pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, por nuk do të isha dakord që zgjidhja të detyrohej prej këtij komuniteti. Mendoj se kur në Prishtinë dhe Beograd të ketë institucione demokratike, ato duhet të bisedojnë me njëra-tjetrën, të punojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një zgjidhje, të ndihmuar edhe nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe OKB-ja.

KK: Shqiptarët në Kosovë duan më shumë kompetenca dhe përgjegjësi. A mendoni se ata i meritojnë ato?

DS: Mendoj se do të ishte mirë për ta që të kishin më shumë kompetenca. Besoj se Kombet e Bashkuara kanë në plan t’u japin më shumë përgjegjësi institucioneve vetëqeverisëse. Çështja qëndron tek koha dhe tek ritmi dhe është shumë e vështirë për gjithkënd në Washington që të përcaktojë nëse ky ritëm është tepër i ngadaltë, apo tepër i shpejtë. Këtë çështje, Kombet e Bashkuatra dhe institucionet vetëqeverisëse duhet ta zgjidhin së bashku. Megjithatë, sipas mendimit tim, procesi ka qenë disi i ngadaltë deri tani dhe do të ishte mirë të shpejtohej. Është shumë e rëndësishme që shqiptarët e Kosovës të kuptojnë se trajtimi i serbëve dhe i të gjitha pakicave, duke respektuar shtetin ligjor, është vendimtar për të ardhmen e tyre. Ka patur disa përparime në këtë drejtim, gjatë dy viteve të fundit, por ato janë të pamjaftueshme. Gjithkush në Kosovë, duhet të trajtojë gjithkënd me respekt. Problemet shkaktohen nga mënyra e sjelljes së njerëzve, jo përkatësia e tyre etnike, prirjet politike, apo besimi i tyre dhe nëse qytetarët kanë vullnetin të zbatojnë ligjin, qytetarët e tjerë që respektojnë ligjin duhet t’i lënë të qetë të jetojnë jetën e tyre.

KK: Në realitetin e ndryshimit të përparësive në politikën e jashtme amerikane dhe me mundësinë e një ndërhyrjeje në Irak, Shtetet e Bashkuara po mendojnë t’u japin më shumë përgjegjësi partnerëve të tyre evropianë, përsa i takon Ballkanit. A mendoni se partnerët evropianë, janë në gjendje t’i marrin përsipër këto përgjegjësi?

DS: Evropa është e gatshme të marrë përsipër disa gjëra. Ajo tashmë ka në dorë misionin në Maqedoni. Besoj se do të marrë përsipër edhe misionin e Bosnjes, pas rreth dy vjetësh. Nuk mendoj që Bashkimi Evropian duhet të marrë në dorë krejtësisht misionin në Kosovës, derisa të vendoset statusi përfundimtar. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë një rol thelbësor për të luajtur në arritjen e një vendimi për statusin përfundimtar dhe nuk do të më pëlqente që trupat amerikane të tërhiqeshin plotësisht, para se të merrej ky vendim dhe të miratohej nga Këshilli i Sigurimit. Nuk shoh ndonjë arsye që Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë patur një rol kaq të madh në historinë e kohëve të fundit të Kosovës, t’i kthejnë asaj shpinën, para se e ardhmja e saj të përcaktohet. Ne kemi investuar shumë për paqen dhe sigurinë atje dhe duhet të sigurohemi që ky investim të mbrohet.

KK: Një raport i kohëve të fundit, i Institutit të Paqes përqendrohej tek krimi i organizuar në Ballkan. Sa e rëndë është gjendja, sipas jush?

DS: Mendoj se gjendja është shumë serioze dhe në vend që të përmirësohet, po përkeqësohet. Lufta ndaj krimit të organizuar është një nga sfidat më të mëdha në Ballkan dhe kjo çështje do të vazhdojë të paraqesë interes për Shtetet e Bashkuara. Është e qartë që në rajon ka një rrjet të zgjeruar të krimit të organizuar, që shkon përtej përkatësive etnike. Në këtë rrjet bëjnë pjesë gjithashtu segmente të errëta të regjimeve të kaluara, si ai i Millosheviçit, njerëz në Bosnje që janë kundër marrëveshjes, njerëz në Kosovë që mund të kenë patur lidhje me luftën guerilase, si edhe në Maqedoni. Unë mendoj se gjithkush duhet ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara nuk duan të kenë miq mashtrues. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për qeveri të ndershme në gjithë Ballkanin, që të kenë vullnetin të luftojnë kriminalitetin kudo që shfaqet. E kam fjalën këtu për Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjen, Kroacinë, Serbinë. Mendoj se meqë ato kishin aq shumë probleme të tjera, ne kemi patur prirjen të jemi disi më pak të interesuar për çështjet e kriminalitetit. Tani që shumë nga problemet e tjera janë zgjidhur, ne duhet t’i kthehemi me shpejtësi gjendjes së kriminalitetit dhe besoj se të njëjtën gjë po bën edhe Bashkimi Evropian.//kk//

XS
SM
MD
LG