Lidhje

NASA konfirmon vdekjen e ekuipazhit të anijes së hapësirës Columbia - 2003-02-01


NASA thotë se shtatë anëtarët e ekuipazhit të anijes amerikane të hapësirës Columbia kanë vdekur, pasi anija shpërtheu mbi Teksas, pak minuta para kohës kur pritej të ulej në Florida.

Administratori i agjencisë amerikane të hapësirës, Sean O’Keefe tha se e sotmja është një ditë tragjike për NASA-n, familjet e anëtarëve të ekuipazhit dhe vendin. Ai u angazhua se do të bëjë të pamundurën për të përcaktuar arsyen e katastrofës. Ai tha se nuk ka shenja që diçka në tokë të ketë shkaktuar shpërthimin. Zoti O’Keefe tha se ka filluar procesi i kërkimit të trupave.

Columbia po kthehej në tokë pas një misioni shkencor 16 ditor. Ekuipazhi përbëhej nga gjashtë amerikanë dhe astronauti i parë izraelit, Ilan Ramon.

Pamjet e transmetuara në televizion, treguan shpërthimin e Columbias në pjesën veriore qednrore të Teksasit dhe mbeturina të anijes po gjenden në Teksasin qendror dhe ndoshta edhe në shtete të tjera.

Zyrtarët e NASA-s i këshilluan banorët e Teksasit, që të mos prekin asnjë nga mbeturinat e anijes 22 vjeçare.

Banorët e pjesës veriore të Teksasit thonë se dëgjuan një zhurmë të fortë në kohën kur anija u zhduk, duke shkaktuar lëkundje tek shtëpitë përreth. Ata thonë se panë copra që kishin marrë flakë, të binin në tokë.

NASA dha alarmin për një situatë urgjente dhe mobilizoi skuadra kërkimi dhe shpëtimi, pasi kishte humbur lidhjet me Columbian, sot ndërsa ajo bëhej gati të ulej në tokë.

Në Qendrën e Hapësirës Kenedi në Florida ishin marrë masa të rrepta sigurie për uljen e anijes, për të parandaluar çdo sulm të mundshëm terrorist. Gjithsesi zyrtarë amerikanë thonë se nuk ka të shenja që të lënë të kuptohet se bëhej fjalë për një akt terrorizmi, por incidenti po hetohet hollësisht. //kk//

XS
SM
MD
LG