Lidhje

Nasa pezullon përkohësisht fluturimet në hapësirë - 2003-02-02


Disa orë pas tragjedisë së anijes Columbia, agjencia amerikane e hapësirës, Nasa, i pezulloi të gjithë fluturimet e anijeve për vajtje-ardhje në hapësië për një kohë të pacaktuar.

Nasa kishte planifikuar edhe pesë misione të tjera për këtë vit, të gjitha për në Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Pas humbjes së anijes Columbia, Shteteve të Bashkuara u kanë mbetur tani vetëm tri anije për vajtje-ardhje në hapësirë.

Misioni tjetër ishte planifikuar për 1 mars. Anija Atlantis do të transportonte ekuipazhin e ri për në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar dhe do të kthehej në Tokë me ekuipazhin që ndodhet aktualisht në hapësirë: dy amerikanë dhe një kozmonaut rus, të cilët janë në orbitë qysh prej 10 javësh.

Megjithë pezullimin e fluturimeve të Nasës, ekuipazhi i tanishëm i stacionit orbital nuk do të detyrohet të qendrojë më gjatë në hapësirë, pasi ai mund të kthehet në Tokë, nëse është nevoja, në bordin e një rakete ruse të tipit Sojuz që është e ankoruar në Stacionit Hapësinor.

Nga ana tjetër, Rusia hedh vazhdimisht në orbitë anjie kozmike transporti pa njerëz për të dërguar pajisje në stacionin orbital.

Megjithatë, misionet e anijeve për vajtje-ardhje në hapësië janë një element shumë i rëndësishëm i programit të Stacionit Hapësinor, sepse vetëm anijet amerikane kanë aftësi të mjaftueshme transporti për të siguruar vazhdimin e ndërtimit të laboratorit orbital.

Nëse të tri anijet amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë nuk do të fluturojnë për një kohë të gjatë, Nasa mund të detyrohet ta mbyllë stacionin hapësinor, pasi ekuipazhi i tanishëm të kthehet në Tokë.//xh//

XS
SM
MD
LG