Lidhje

Një Tragjedi në Hapësirë - 2003-02-04


Amerika është në pikëllim për humbjen e anijes Kolumbia (Columbia) me 7 astronautë në bord. Në ndërtesat qeveritare, flamujt janë ulur në gjysmë shtize, ndersa në qëndrën e hapësirës në Huoston të Teksasit zhvillohet ceremonia e përmortëshme për të nderuar kujtimin e tyre.

Kolumbia ishte anija e parë amerikane për vajtje ardhje në Hapësirë në vitin 1981. Ajo u pagëzua Kolumbia, duke marrë emrin e anijes Kolumbia, eksploruese e deteve dhe oqeaneve në fund të viteve 1700.

Anija e hapësirës Kolumbia quhej ndryshe edhe OV-102 ose Orbiter Vehicle -102. Ajo ishte gjithashtu anija e parë në vargun e anijeve orbitale që iu nënshtrua riparimit dhe modernizimit në vitin 1991. Gjatë kësaj kohe asaj iu bënë rreth 50 modifikime, duke filluar nga sistemi i frenimit e deri tek kabina e pilotit.

Të enjten më 16 janar 2003, në Florida, në qëndrën Kenedi për fluturime në Hapësirë, nisja e anijes për në orbitë u cilësua e suksesshme. Por një ditë më vonë, ekspertët duke parë videokasetat ku ishin regjistruar momentet e nisjes, vunë re se një pllakë në krahun e majtë të anijes ishte dëmtuar pak, por problemi nuk ishte shqetësues, thanë ata.

Pas 16 ditësh në orbitë, misioni i Kolumbias që pritej të quhej një sukses, përfundoi në mënyrë tragjike, vetëm 16 minuta nga koha e uljes. Shpërthimi i anijes Kolumbia ndërsa po hynte në atmosferën e tokës, krijoi një re tymi mbi Teksas e shtetet fqinje. Pamjet dramatike të anijes duke rënë treguan qartë disa vija të bardha në qiell pasi anija papritur shpërtheu e u shpërbë. Pamjet e para u regjistruan nga fotografë amatorë që kishin dalë për të shikuar uljen e anijes. Por askush nuk priste që kjo ulje të ishte fatale.

Menjëherë, ushtarë e policë në shtetet Teksas e Luiziana u hodhën në kërkim për gjetjen e copave të anijes Kolumbia dhe të trupave të 7 astronautëve të saj. Ndërkohë që Agjencia amerikane e hapësirës, Nasa filloi hetimet për të gjetur shkakun e aksidentit. Zyrtarët e Nasas thonë se ata po përpiqen të gjejnë nëse dëmtimi i pllakave izoluese ndaj nxehtësisë të ketë qënë shkaktari i shpërthimit.

Zv/administratori i Nasas, Bill Ready thotë se hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe duhen më shumë të dhëna për të analizuar problemin. Ai tha se ekipet po përpiqen të mbledhin çdo të dhënë, qofshin dokumente, thënie dëshmitarësh, apo pjesë të anijes, për të identifikuar rrënjën e problemit.

Zyrtarët e Nasas, e dinin se krahu i majtë i anijes Kolumbia ishte goditur nga një izolues i depos së karburantit që u shkëput gjatë procesit të nisjes së anijes në orbit muajin e kaluar. Por zyrtari i Nasas Mike Kostelnik, thotë se inxhinjerët nuk besojnë që kjo të ketë qënë shkak i aksidentit.

Krahas Nasas, edhe kongresi po fillon hetimet për të gjetur shkakun e aksidentit, ndërkohë që presidenti Bush u tha zyrtarëve të Nasas që ta mbajnë në dijeni gjatë çdo hapi të procesit hetimor.

Presidenti Bush tha astronautët e anijes Kolumbia bënë sakrificën më të madhe duke dhënë jetën në emër të zbulimeve shkencore. Gjatë një vizite në institutin kombëtar të shëndetit, presidenti Bush tha se 7 astronautët do të kujtohen gjithmonë për arritjet dhe heroizmin e tyre në fushën e shkencës. Misioni i tyre 16 ditësh ishte i mbushur me premtime për gjetjen e përgjigjeve mbi problemet shkencore që ndeshemi ne në tokë, tha presidenti.

Gjatë qëndrimit në orbitë, ekuipazhi prej 7 antarësh u nda në dy grupe, një grup punonte natën dhe tjetri ditën. Puna e tyre u përqëndrua në eksperimente të ndryshme shkencore në fusha të mjekësisë, biologjisë, fizikës dhe teknologjisë.

Ishin gjithsej 80 eksperimente dhe shumica e tyre u kryen në laboratorë të posaçëm në hambarin e anijes. Ato kishin të bënin me studimin e qelizave të kancerit dhe vëzhgimi i reagimeve të kafshëve në kushtet e mungesës së gravitetit.

Shkencëtarët gjithashtu u përpoqën të mësonin se i mund të luftohen efektet e humbjes së peshës së gravitetit, dukuri që kur ndodh shpesh dobëson funskionimin e sitemit imunitar, si dhe ul densitetin e kockave e dobëson muskujt. Zyrtarët e Nasas thonë se shume prej të dhënave të eksperimenteve astronautët ia dërguan qëndrës së kontrollit dhe qëndrave të ndryshme shkencore në tokë nëpërmjet lidhjeve me kompjuter ose radio.

Që nga humbja tragjike e anijes Kolumbia, të shtunën 1 shkurt, qindra vizitorë e turistë vazhdojnë të vizitojnë muzeun e Nasas këtu në Washington për të nderuar kujtimin e astronautëve.

Vizitorët vendosin lule, qirinj dhe letra ngushëllimi pranë një replike të anijes Kolumbia. Aty është një kopje e librit të shenjtë hebraik, Torah, në shenjë nderimi për astronautin izraelit Ilan Ramon, i cili humbi jetën së bashku em 6 astronautët amerikanë. Një vizitore tha se se humbja e këtyre njerëzëve të shkëlqyer është tragjedi e madhe. Astronautët tha ajo janë përfaqësuesit e racës njerëzore në mbarë universin the si të tillë nderimi për ta duhet të jetë i pakufishëm.

Me këtë rast kujtojmë se ndër astronautët që ka eksploruar me sukses hapësirën është edhe shqiptaro amerikani, William Gregory, i cili në mars të vitit 1995, drejtoi anijen Endeavour gjatë një misioni në orbitë që zgjati 16 ditë, 15 orë, 8 minuta e 46 sekonda. Misioni i tij mbahet si rekord për nga kohëzgjatja e qëndrimit në hapësirë me anije për vajtje ardhje.

XS
SM
MD
LG