Lidhje

Hetime intensive për anijen Kolumbia - 2003-02-04


Çelësi i gjetjes së shkakut që çoi në shpërbërjen e anijes Kolumbia mund të qëndrojë në zbulimin e faktorëve që çuan në ngritjen e shpejtë të temperaturës së sipërfaqes në anën e majtë të trupit të anijes disa minuta para se ajo të çahej në hapësirë.

“Na mungon një hallkë në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në rritjen e temperaturës, të cilën duhet ta zbulojmë”, thotë drejtuesi i programeve të fluturimit të Nasës, Ron Dittemore. Nasa shpreson të gjejë copat e pllakave refraktare izoluese që mbrojnë anijen nga mbi-nxehja të cilat mund të japin përgjigjen.

“Hallka që na mungon ndodhet diku, ne duhet të këmbëngulim derisa ta gjejmë”, thotë zoti Dittemore.

Një nga teoritë që po hetohet është një incident që ndodhi më 16 janar. Atë ditë, në momentin e lëshimit të anijes në hapësirë, një pjesë e shtresës së jashtme izoluese u shkëput nga anija dhe goditi krahun e saj të majtë. Inxhinierët e Nasës në atë moment gjykuan se goditja nuk përbënte ndonjë shqetësim për sigurinë e anijes.

Por ekspertët po shqyrtojnë tani mundësinë që ky incident të ketë shkaktuar një reaksion zinxhir që mund të jetë bërë shkas për çarjen e anijes si pasojë e temperaturave ekstreme dhe e presionit të lartë gjatë hyrjes së saj në atmosferën e tokës, vetëm 16 minuta para uljes.

“A ishte gjykimi ynë i gabuar? A mos u treguam më pak të kujdesshëm se duhet? A bëmë ndonjë gabim? Për këtë arësye po e rianalizojmë nga e para situatën”, tha zoti Dittemore.

Mund të duhen muaj para se të gjendet shkaku i tragjedisë. Për momentin ai mbetet një mister. “Ndoshta kurrë nuk do e mësojmë të vërtetën. Ndoshta kurrë nuk do t’i gjejmë copat që do na çojnë tek gjetja e burimit”, thotë zoti Dittemore.

Ekipet e kërkimit arritën të gjejnë të hënën vonë në Teksas, pjesën e përparme në formë konike të anijes. Krahas hetimeve, vazhdojnë paralelisht edhe kërkimet për trupat e 7 astronautëve. (ax)

XS
SM
MD
LG