Lidhje

Kalendari Historik 8 shkurt - 2003-02-05


Më 8 shkurt 1915 u dha premiera e filmit The Birth of a Nation (Lindja e një Kombi), për të cilin pati vlerësime të larta si edhe kritika të ashpra. Filmi pa zë i regjisorit D.W. Griffith pasqyronte jetën e dy familjeve gjatë Luftës Civile Amerikane të fillimit të viteve 1860 dhe periudhën e Rindërtimit që pasoi. Filmi që në disa versione zgjaste më shumë se tri orë, është vlerësuar shpesh herë se ka ndihmuar për ta bërë filmin kinematografik një formë arti dhe është kritikuar për ngjarjet që pasqyron dhe qendrimet ndaj tyre. Lindja e një Kombi trajtonte jetën në Jugun e varfëruar pas humbjes që pësoi në Luftën Civile. Heronjt e filmit ishin anëtarë të shoqatës së fshehtë raciste Ku Klux Klan, e cila përdorte taktika terroriste dhe vrasje për të luftuar zezakët gjatë periudhës së Rindërtimit. Zezakët dhe pjesëtarët e ushtrisë fitimtare të Unionit, paraqiteshin në film si personazhe negative. Shumë historianë të kinemasë kanë thënë se filmi i regjizorit Griffith përcaktoi forcën e madhe të kinematografisë për të dhënë efekte emocionale dhe psikologjike.

Më 8 shkurt 1910, William D. Boyce, botues nga qyteti Chicago, i bëri kërkesë zyrtare qeverisë federale në Uashington, për krijimin e organizatës Bojskautët e Amerikës. Zoti Boyce ishte frymëzuar nga një incident që i kishte ndodhur në Londër, ku kishte humbur në mjegullën e famshme të qytetit. Një djalë me një fener në dorë i kishte ardhur në ndihmë. Zoti Boyce deshi ta falënderojë djalin duke i dhënë një monedhë për ndihmën e tij. Por ai nuk do ta harronte kurrë përgjigjen e djalit, i cili i tha se Bojskautët nuk mund të pranonin bakshish për mirësjelljen e tyre apo për ndihmën që u jepnin atyre që kishin nevojë. Si u kthye në atdhe zoti Boyce filloi të kërkojë rrugë për të rekrutuar fëmijë amerikanë për një organizatë të ngjashme, që të edukojë tek njerëzit ndjenjën e patriotizmit, të vetëbesimit dhe të mirësjelljes.

Në radhët e bojskautëve amerikanë tani marrin pjesë miliona të rinj aktivë, djem e vajza, si edhe mbi një milionë vullnetarë të rritur. Organizata e Bojskautëve është kritikuar ndonjëherë për rregulloret e saj, që thuhet se diskriminojnë grupe të tilla të pakicave, si ateistët, agnostiçistët dhe homoseksualët. //ad//

XS
SM
MD
LG