Lidhje

Kofi Annan paralajmëron SHBA që të mos fillojnë luftë ndaj Irakut në mënyrë të njëanshme - 2003-02-07


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos ndërmarrin luftë ndaj Irakut në mënyrë të njëanshme, duke thënë se çdo vendim për përdorimin e forcës duhet të merret nga Kombet e Bashkuara.

Duke folur sot në një universitet amerikan në Williamsburg të Virxhinias, zoti Annan theksoi se forca ushtarake duhet të përdoret vetëm nëse nuk mbetet rrugë tjetër dhe se miratimi i OKB-së do t’i jepte një ndërhyrjeje të tillë një legjitimitet më të madh.

Presidenti Bush thotë se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të veprojë tani për detyruar Irakun që të çarmatoset. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara do ta mirëprisnin një rezolutë të dytë të Kombeve të Bashkuara, ku të autorizohej përdorimi i forcës, por thotë se nuk beson se kjo është e nevojshme.

Sot në Irak, dy zyrtarët kryesorë të OKB-së për inspektimet e armëve, Hans Blix dhe Mohamed ElBaradei, filluan bisedime shumë të rëndësishme me zyrtarë të lartë irakianë, të cilat synojnë të arrijnë përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare që Bagdadi të çarmatoset. Inspektorët pritet të raportojnë të premten e ardhshme në Këshillin e Sigurimit.

Duke iu referuar raportit, zoti Annan tha se këshilli duhet t’u bëjë ballë përgjegjësive të veta, nëse inspektorët raportojnë se Iraku nuk po e zbaton rezolutën ekzistuese të Kombeve të Bashkuara, ku i kërkohet Bagdadit që t’i japë fund programit për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.

//ze//

XS
SM
MD
LG