Lidhje

Shtohen transmetimet në Korenë e Veriut - 2003-02-11


Në Korenë e Veriut, siç tha Presidenti Bush më 28 janar, në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, “një regjim shtypës sundon një popull që jeton në frikë dhe mjerim”. Sunduesit komunistë të Koresë së Veriut jo vetëm që i mohojnë popullit koreanoverior të drejtat e tij themelore, por kanë punuar edhe për prodhimin e armëve bërthamore që mund të kërcënojnë vendet fqinjë dhe paqen e botës.

Duke patur parasysh këto tensione, është thelbësore që populli i Koresë së Veriut të ketë mundësinë të dëgjojë faktet mbi vendin e tij dhe mbi botën. Këtë po përpiqen ta bëjnë Zëri i Amerikës dhe Radioja Azia e Lirë, përmes transmetimeve në gjuhën koreane. Dhe për ta realizuar këtë qëllim më mirë, si Zëri i Amerikës ashtu edhe Radioja Azia e Lirë i kanë shtuar transmetimet në gjuhën koreane.

Radioja Azia e Lirë e ka rritur numrin e transmetimeve në këtë gjuhë, në katër orë në ditë, ndërsa Zëri i Amerikës në tri orë. Të dy radiostacionet transmetojnë në frekuenca të ndryshme valësh të shkurtra për të ndihmuar dëgjuesit që të shmangin ndërhyrjet zhurmuese që mund të shkaktojë qeveria koreanoveriore. Dhe meqenëse vetëm një numër i vogël koreanoveriorësh mund të dëgjojnë në valë të shkurtra, Zëri i Amerikës transmeton edhe në valë të mesme.

Zëri i Amerikës i filloi transmetimet në shkurt të vitit 1942 dhe filloi të transmetonte në gjuhën koreane në gusht të atij viti. Siç bëhet e qartë në Kartën e kërsaj radioje, Zërit të Amerikës i kërkohet “të shërbejë si një burim i besueshëm dhe i autoritetshëm lajmesh”, “të pasqyrojë idetë dhe institucionet amerikane me peshë në mënyrë të balancuar dhe të hollësishme”, dhe të “paraqesë politikat e Shteteve të Bashkuara qartë dhe me efektshmëri”.

Radioja Azia e Lirë u hap në vitin 1994 dhe filloi transmetimet në gjuhën koreane në vitin 1997. Misioni i posaçëm i kësaj radioje është transmetimi i lajmeve dhe informacionit për dëgjuesit aziatikë që nuk kanë mundësinë të informohen plotësisht dhe në mënyrë të balancuar nga mjetet vendase të informimit. Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme në Korenë e Veriut, ku radiot, televizioni, gazetat dhe revistat vendase kontrollohen nga qeveria komuniste.

Për dekada me radhë, siç u shpreh Presidenti Bush vitin e kaluar, në fjalën e tij me rastin e 60 vjetorit të Zërit të Amerikës, përmes trasmetimeve amerikane jashtë vendit i është treguar “botës e vërteta” dhe “forca e vendosmëria e lirisë”. Duke shtuar transmetimet për popullin e shtypur të Koresë së Veriut, Zëri i Amerikës dhe Radioja Azia e Lirë vazhdojnë të ngjallin “një besim të veçantë”, siç u shpreh Presidenti Bush.//kk//

XS
SM
MD
LG