Lidhje

Organizata Hamas kërcënon Shtetet e Bashkuara - 2003-02-13


Një udhëheqës i grupit terrorist Hamas ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ndërmarrin veprime për të detyruar Irakun të asgjësojë armët e tij të shkatërrimit në masë, tha Sheiku Ahmed Yassin, “Myslimanët duhet të kërcënojnë interesat perëndimore dhe t’i godasin ato kudo.” Sheiku Yassin, i ashtu-quajturi “udhëheqësi shpirtëror” i Hamasit, e bëri këtë kërcënim me anë të një letre që iu shpërnda gazetarëve më 7 shkurt. Ai pretendon pa të drejtë se çdo veprim ushtarak kundër regjimit të Sadam Huseinit në Irak, do të ishte “një luftë kryqtarësh” kundër Islamit nga “Perëndimi lakmitar, me Shtetet e Bashkuara në krye.”

E vërteta, pa dyshim, është krejt ndryshe. Nëse Shtetet e Bashkuara vihen në krye të një koalicioni, kjo do të bëhet me qëllim që të eliminohen armët e shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me fenë. Nëse ka ndonjë agresor në rajon, ai është Sadam Huseini, i cili u angazhua në luftra brutale kundër myslimanëve në Iran dhe Kuvajt. Përmes regjimit të tij shtypës, ai vazhdon luftën kundër popullit mysliman të Irakut. Kurse, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën koalicionin që çliroi Kuvaitin 12 vjet më parë. Siç ka thënë presidenti Bush, “dita kur Sadam Huseini dhe regjimi i tij të largohen nga pushteti, do të jetë dita e çlirimit të Irakut.”

Për sa i përket luftës së Shteteve të Bashkuara kundër rrjetit al-Kaida dhe terroristëve të tjerë, presidenti Bush ka thënë “Vendi ynë është angazhuar në luftë kundër një rrjeti ekstremist terroristësh, jo ndaj një besimi fetar apo ndaj një qytetërimi... Ne falenderojmë vendet e shumta myslimane që janë ngritur përkrah nesh kundër terrorit, vendet që shpesh shndërrohen vetë në viktima të terrorit.”

Lëvizja Hamas, siç ka vënë në dukje presidenti Bush, “është sot një ndër organizatat terroriste më vdekjeprurëse në botë.” Ajo bën thirje për shkatërrimin e plotë të Izraelit dhe deri tani, Hamasi ka vënë përgjithësisht në shenjestër të sulmeve të tij civilët izraelitë. Por deklarata e Sheikut Yassin tregon se tani Hamasi po bën thirje për sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe miqve e aleatëve të tyre.

Kërcënimi i Sheikut Yassin vë në pah nevojën që bota duhet të bashkohet për t’iu kundërvënë të gjithë terroristëve, dhe jo vetëm disave prej tyre. Kjo nuk nënkupton vetëm al-Kaidën, por edhe Hamasin, Hezbollahun dhe grupe të tjera që kryejnë sulme vdekjeprurëse kundër civilëve. Siç tha presidenti Bush në Kombet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara, “Është detyra jonë ... t’i përgjigjemi agresionit dhe terrorit. Nuk kemi rrugëdalje tjetër.” //ad//

XS
SM
MD
LG