Lidhje

D. Serwer mohon akuzat e kryeministrit serb Xhinxhiç. - 2003-02-14


A.Xh.: Zoti Serwer, kryeministri i Serbisë, Zoran Xhinxhiç bëri disa akuza ndaj jush këto ditë. Ai ju quajti ju si anëtar të lobit shqiptar, këtu në Shtetet e Bashkuara. Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave.

D.Serwer: Ky nuk është një pretendim i besueshëm. Instituti i Paqes ka një historik shumë të gjatë miqësie dhe përkrahjeje për opozitën demokratike serbe. Ne përpiqemi të ruajmë një qëndrim të balancuar ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ne përpiqemi t’u vëmë gjërave emrin që u takon. Nuk jemi lobistë të askujt dhe ai e di këtë. A.Xh.: Komentet e kryeministrit serb Xhinxhiç përkojnë me një raport që Instituti juaj i Paqes botoi këto ditë pas një takimi me ekspertë amerikanë dhe evropianë mbi mënyrën se si duhet trajtuar e ardhmja e Kosovës, e statusit të saj përfundimtar. A shikoni ndonjë lidhje midis raportit tuaj ku ju rekomandoni që çështja e statusit të Kosovës të përcaktohet pas disa vitesh, ndërsa kryeministri Xhinxhiç ka kërkuar me këmbëngulje kohët e fundit që statusi i Kosovës, bisedimet për të, të fillojnë menjëherë?

D.Serwer: Nuk e di. Këtë pyetje duhet t’ia bëni Zoran Xhinxhiçit. Mendoj se nevojitet një vit apo pak më gjatë për përgatitjet për statusin përfundimtar të Kosovës. Ne nuk mendojmë se kjo çështje mund të shtyhet pafundësisht. Nuk mendoj se Beogradi dhe Prishtina janë të përgatitura t’i hapin këto bisedime që nesër. Mendoj se është e nevojshme që veçanërisht në Prishtinë të përgatiten studime serioze se çfarë domethënieje do të ketë pavarësia, çfarë forme do të kenë marrëdhëniet me fqinjët, çfarë statusi do të kenë pakicat në skenarin e tyre të preferuar. Po ashtu Beogradi duhet të përgatitet për negociata duke qartësuar idenë se çfarë forme dëshiron që të marrin marrëdhëniet e pakicave serbe dhe pakicave të tjera me shumicën në Kosovë; si do të qeveriset Kosova; çfarë domethënieje do të kishte ruajtja e sovranitetit serb në Kosovë. Mendoj se nevojiten analiza serioze dhe të kujdesshme, ku të përfshihen edhe alternativa nga të dyja palët. Nuk mendoj se kjo punë është bërë. Mendoj se do të duhet së paku një vit. Por nuk mendoj se diskutimi i statusit përfundimtar mund të shtyhet pafundësisht. Mendoj se ka ardhur koha për t’u angazhuar seriozisht në këtë drejtim.

A.Xh.: Nëse i kthehemi raportit të fundit të organizatës suaj, cilat janë disa nga rekomandimet që bëhen në të?

D.Serwer: Ne rekomandojmë që të fillojë një periudhë përgatitore, e cila do të përfundojë me fillimin zyrtar të bisedimeve në vitin 2004-2005 dhe bisedimet mund të zgjasin 2-3 vjet. Ky do të ishte parashikimi im më i mirë, por nëse kjo mund të realizohet më shpejt, aq më mirë. Ne rekomandojmë që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia të fillojnë të përgatiten për këto bisedime. Ne gjithashtu i mbështesim me forcë standartet e Kombeve të Bashkuara. Këto standarte duhen përmbushur, sidomos standarti që ka të bëjë me serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë. Ky standart duhet përmbushur pa vonesë nëse shqiptarët dëshirojnë hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar në një të ardhme të afërt.

A.Xh.: Në raport ju rekomandoni një rol të madh për Shtetet e Bashkuara në Ballkan për çështjen e statusit të Kosovës. A mendoni se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në angazhuara në Ballkan pas angazhimit të madh tashmë në një luftë të mundshme kundër Irakut dhe me krizën në Korenë e Veriut?

D.Serwer: Mendoj se gjatë muajve të ardhshëm do të jetë shumë e vështirë për Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol të rëndësishëm në statusin përfundimtar të Kosovës, por, siç e thashë më parë, për 1 vit apo 1 vit e gjysëm vëmendja duhet të përqëndrohen në përgatitjet në Beograd dhe Prishtinë. Pra, nuk ka nevojë të ngutshme për rolin e Shteteve të Bashkuara. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë me Irakun, Korenë e Veriut, Afganistanin si dhe çështje të tjera me të cilat ndeshen amerikanët, në mënyrë që ata të kenë rezerva që të angazhohen në këtë çështje, të themi pas 2 vjetësh. Nëse nuk është e mundur kjo, Kombet e Bashkuara ose Bashkimi Evropian mund të mbajnë peshën e këtyre përpjekjeve. Mendoj se angazhimi amerikan do ta lehtësonte procesin. Mendoj se ky është një faktor i rëndësishëm pozitiv, por nëse nuk është e mundur, procesi duhet të vazhdojë pa të.

A.Xh.: Dhe një pyetje e fundit; ditët e fundit gjendja në Luginën e Preshevës është acaruar së tepërmi dhe kryeministri serb Xhinxhiç bëri disa komente të ashpra për të ndërhyrë kundër ekstremistëve shqiptarë. Si e shikoni ju gjendjen në këtë zonë?

D.Serwer: Jam dakort me kryeministrin Xhinxhiçi se është e pajustifikueshme të ngresh armët kundër autoriteteve të ligjshme në Serbinë e Jugut, Kosovë apo Maqedoni sot. Ata që ngrenë armët kundër autoriteteve të ligjshme në këto vende duhet ta kenë të qartë se do të trajtohen si kriminelë.

//ad//

XS
SM
MD
LG