Më 18 shkurt 1930, Clyde Tombaugh (Tombo) zbuloi Plutonin, planetin më të largët të sistemit tonë diellor. Astronomi 22-vjeçar ishte duke punuar në Observatorin Lowell, në Flagstaff të shtetit Arizona, kur zbuloi planetin ndërmjet 400 mijë yjeve që kishte fotografuar në qiell gjatë natës. Tombo i përdorte teleskopët e observatorit për të bërë fotografi, gjatë studimit sistematik të një pjese të caktuar të qiellit. Gjatë punës së tij ai mbështetej në përllogaritjet e një astronomi tjetër, të quajtur Percival Lowell. Ky i fundit mendonte se forma e çuditshme e orbitës së Neptunit rreth Diellit shkaktohej nga tërheqja gravitacionale e një objekti qiellor, të cilin nuk e kishte parë akoma askush me teleskop. Clyde Tombo e gjeti Plutonin çuditërisht pranë vendit që kishte parashikuar Lowell në përllogaritjet e tij.
Më 18 shkurt 1861, Jefferson Davis bëri betimin si president i Shteteve të Konfederatës Amerikane, që ishin shtetet e jugut. Ata ishin shkëputur nga Unioni, kryesisht për shkak të çështjes së skllavërisë, e cila ishte e ligjshme në Jug dhe e paligjshme në Veri. Shpallja e tyre si shtet më vete, Shtetet e Konfederatës Amerikane, u bë shkak për Luftën Civile Amerikane. Jefferson Davis, ish-senator amerikan për shtetin Mississippi, ishte bërë i njohur si udhëheqës i bllokut të shteteve jugore gjatë viteve që kishte shërbyer në Kongres. Në vitin 1865, pas dorëzimit të gjeneralit Robert Lee, udhëheqësit ushtarak të ushtrive të Jugut, Jefferson Davis u përpoq të grumbullojë forcat e mbetura dhe të vazhdojë luftën, por u burgos dhe u akuzua për tradhti. Megjithatë ai asnjëherë nuk u nxor në gjyq nën këtë akuzë dhe në vitin 1867 u fal nga presidenti. Jefferson Davis u kthye në vendlindjen e tij në Mississippi, ku jetoi me nder, si një mbeturinë e admiruar e një kauze të humbur, derisa vdiq, në vitin 1889. //rd//