Lidhje

Kalendari Historik 19 shkurt - 2003-02-18


Më 19 shkurt 1878, Thomas Alva Edison, mori një patentë amerikane për fonografin e tij. Pajisja përdorte një cilindër që rrotullohej të mbështjellë butë me një flet kallaji. Një gjilpërë e vogël mbi fonograf lëvizte duke lënë gjurmë shumë të vogla mbi fletën e kallajit, të cilat vinin në lëvizje një diafragmë si daulle, që prodhonte tinguj. Edisoni e zhvilloi fonografin në laboratorin e tij, në Menlo Park, të shtetit New Jersey, i cili është quajtur shpesh një fabrikë shpikjesh. Disa njerëz e konsiderojnë atë si laboratorin e parë modern të kërkimeve shkencore dhe zhvillimeve, që kishte për qëllim të krijonte pajisje të dobishme dhe fitimprurëse. Historiani Robert Bruce thotë se pjesë e gjenialitetit të Thomas Edisonit ishte aftësia e tij për të marrë në punë teknikë, kimistë e të tjerë, që dinin t’i bënin realitet idetë e tij. “Ata ishin kryesisht tru dhe duar shtesë, kurse ai ishte njeriu që kontrollonte. Ai kishte marrë si teknikë njerëz që dinin të ndërtonin dhe t’i bënin realitet idetë e tij dhe veç tyre kishte edhe një matematikan të përgatitur. Ai vetë thoshte se i përçmonte deri diku ata që më vonë filluan t’i quajnë tipa intelektualë, teoricienë të kulluar, e të tjera si këto, por ai e kuptonte rëndësinë e tyre dhe përpiqej të mbante pranë vetes një apo dy prej tyre” thotë historiani.

91 vjet më parë, më 19 shkurt 1912, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi se ndërmarrja e nismave legjislative dhe referendumi ishin kushtetuese. Nisma legjislative është një mjet elektoral përmes të cilit qytetarët e interesuar mund të propozojnë ligje apo amendamente kushtetuese duke përdorur peticionet e nënshkruara nga numri i kërkuar i votuesve të regjistruar. Numri i kërkuar i firmave ndryshon nga shteti në shtet, nga 5 deri në 15 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Nëse një peticion përkrahet nga numri i kërkuar i firmave, propozimi hidhet në votë. Referendumi është një mjet elektoral që kërkon miratimin e votuesve për një masë të aprovuar nga një organ legjislativ, para se kjo masë të shndërrohet në ligj. Kjo është një formë e vetos së qytetarëve. Shembuj të funksionit të nismave legjislative dhe referendumeve në vitet e fundit përfshijnë ndryshime në ligjin e taksave si dhe masa për ta bërë anglishten gjuhën zyrtare të disa shteteve amerikane. Në Shtetet e Bashkuara nuk egziston me ligj një gjuhë zyrtare.

//rd//

XS
SM
MD
LG